Lajmet e fundit

Një grua afgane mund të jetë refugjatja më e vjetër në botë. Pas 20 ditësh ditë udhëtim në këmbë, 105-vjeçarja Bibihal Uzbeki ka mbërritur në Kroaci.
Pavarësisht vështirësive të udhëtimit të gjatë, ajo është optimiste dhe shpreson për një të ardhme më të mirë për veten dhe familjen e saj.
"Më dhembin këmbët, por jam mirë", i tha ajo agjencisë "Associated Press", e cila e ka intervistuar në një nga kampet e refugjatëve në Kroaci.
Gruaja thotë se familja e saj me 17 pjesëtarë udhëtoi për 20 ditë derisa arriti në Europë. Djali i saj 67 vjeç dhe nipi 19 vjeç shpesh e kanë marrë në shpinë gjatë këtij udhëtimi.
"Patëm probleme. U rrëzova dhe vrava kokën. Kam shenja në kokë", thotë ajo.
Gruaja është 105 vjeçe dhe këtë fakt e ka vërtetuar edhe policia kroate, pas verifikimit të dokumenteve të saj. Nipi i saj, Muhamet, thotë se ata shpresojnë të arrijnë në Suedi, ku ëndërrojnë të gjejnë strehim dhe punë.
Mbi 260 mijë emigrantë dhe refugjatë kanë mbërritur në Kroaci që nga mesi i shtatorit, kur Hungaria mbylli kufijtë. Shumica e tyre duan të arrijnë në vendet e Europës Perëndimore./Shekulli


