Lajmet e fundit

Ankthin, pasigurinë e lodhjen, po mundohen të ua largojnë prishtinasit Julia Obodosvkas e Maria Kudirkos, dy ukrainasve të cilat bashkë me tre fëmijët e tyre, tash e gjashtë ditë janë larguar nga Ukraina.
Ato, strehim po gjejnë në shtëpinë e kushërirës së tyre te martuar me kosovarë në Prishtinë.
“Njerëzit e Kosovës kur e kuptojnë se jemi nga Ukraina, ju mbushen sytë me lot, ju kthehen kujtimet e veta, luftën të cilën e kanë përjetuar. Populli i Kosovës mundohet të na ndihmojnë, na ofrojnë zbritje në dyqane, ushqim, pije ose diçka falas, po mundohen të na gëzojnë”, thotë Maria Kudirko teksa mbanë afër vetes dy fëmijët e saj e ulur në dhomën e ndejës së shtëpisë të Jana Zhdrellës, ku është strehuar.
“Prindërit tanë kanë mbetur atje, nëna e babai. Çdo tre katër orë duhet të mbyllen në bodrume për shkak të alarmeve që paralajmërojnë bombardime. Janë lodhë njerëzit nga kjo gjendje, por nuk do të dorëzohen, nuk dorëzohemi. Po lutem çdo ditë që të shihem me ta përsëri”, tregon Kudirko me sytë e mbushur me lot.
Dy nënat lanë burrat e familjarët në luftë, por nga skenat atje, në vendlindjen e tyre në Ukrainë, nuk u kursyen as fëmijët e tyre.
“Jemi në gjendje të rëndë psiqike, fëmijët kanë trauma, kanë pa gjithçka”, tregon Julia Obodovska, teksa shtrëngon duart e djalit të saj 10 vjeçar”.
Ukrainaset, ani se u mirëpritën në Kosovë, duan me patjetër të kthehen në Ukrainë,
“Ne çdo ditë zgjohemi në mëngjes duke shpresuar që sot është dita e fundit e luftës e mund të nisemi për të shkuar në shtëpitë tona”, thotë Obodovska.
Jana Zhdrella e cila po i mbanë në shtëpi kushërirat e saj nga Ukraina, thotë se çdo ditë lutet të përfundojë lufta në vendlindjen e saj, në mënyrë që të gjejnë paqen familjarët e saj që kanë mbet atje.
“Çdo mëngjes kur zgjohesha qaja çka shihja në lajme, pastaj vazhdoja me jetën, sepse kam fëmijët, familjen këtu, e më duhet të vazhdojë jetën tutje. Lutem që të përfundojë lufta atje”, thotë Jana me sytë e mbushur lot e plot emocione.