Lajmet e fundit

Në mesin e diskutimeve lidhur me refugjatët dhe pas minisamitit të mbajtur në Bruksel, një rol të rëndësishëm për menaxhimin e krizës, e ka Frontex, Agjencia Europiane e Kontrollit të Kufijve.
Në një intervistë për Top Channel, Drejtori Ekzekutiv i Frontex, Fabrice Leggeri shprehet se asnjëherë nuk është folur që Shqipëria të jetë një vend pritës apo tranzit i refugjatëve dhe pikërisht për të parandaluar këtë gjë, Frontex, do të vendoset në kufirin grek-shqiptar dhe Maqedoninë.
***
Top Channel: Deri më tani Shqipëria nuk është prekur nga vala e emigrantëve, a mendoni se ka mundësi që me ardhjen e dimrit, rruga e emigrantëve sirian të zhvendoset përmes Shqipërisë? A keni ju informacion për këtë gjë?
Fabrice Leggeri, drejtor Ekzekutiv i Frontex: Është e vërtetë të themi që Shqipëria deri më tani nuk është prekur nga vala e refugjatëve. Unë mendoj se nëse ne nisim operacionin në kufirin grek me atë të Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë edhe në kufirin me Shqipërinë, sepse mund të krijohen probleme edhe në Shqipëri. Nëse emigrantët do të dinë që ata do të regjistrohen në dalje të Greqisë, natyrisht arrihet në përfundimin që ata do gjejnë një rrugë tjetër nëpërmjet Shqipërisë. Ne duam ta shmangim këtë dhe kjo është arsyeja se pse Frontex gjithashtu do të dërgojë roje në kufirin me Shqipërinë, por në tokën greke.
Top Channel: Nga informacionet tuaja, a ka ndonjë kërkesë zyrtare nga Brukseli që Shqipëria të strehojë refugjatë apo është vetofruar Shqipëria për të strehuar refugjatë?
Fabrice Leggeri: Në dijeninë time jo. Ne nuk kemi diskutuar asnjë çështje të tillë. Ne kemi diskutuar si t’i mbajmë emigrantët në BE; si të mbështesim vendet e Ballkanit Perëndimor në mënyrë që të ketë sa më pak presion mbi ta, por unë nuk kam marrë pjesë në mbledhje, ku kjo çështje të jetë përmendur. Në dijeninë time askush nuk pret që Shqipëria të strehojë refugjatë.
Top Channel: A i ka kapacitetet Shqipëria për të qenë vend pritës?
Fabrice Leggeri: Në dijeninë time, Bashkimi Europian nuk ka parashikuar hapjen e asnjë kampi për strehimin e refugjatëve në Shqipëri. Strategjia jonë, strategjia e BE-së është që të mbajë emigrantët në Greqi dhe të shpërndajë refugjatët prej andej në vende të tjera anëtare të Bashkimit Europian. Ne duam të shmangim kalimin e emigrantëve në vendet e Ballkanit Perëndimor, sepse ne jemi të shqetësuar se kjo mund të jetë një barrë për vendet e këtij rajoni dhe nuk është në përputhje me vendimet e unionit për shpërndarjen e emigrantëve nga Greqia në vendet e tjera të BE-së.Ajo çka mund të bëjmë është të rrisim fluksin e informacioneve të mbledhura dhe t’i ndajmë me autoritetet shqiptare, në mënyrë që ju të jeni të përgatitur për t’u përballur me situata emergjente. Por, siç e thash, strategjia jonë është të shmangim që ju të keni një situatë emergjente./Top Channel/