Lajmet e fundit
Konflikti i armatosur i mëngjesit të së shtunës, ka sjellë në fshatin Debëllde të Gjilanit dy familje nga Maqedonia. Dyert për ta i kanë hapur banorët vendas.

Shtëpisë së Shemsedin Murselit nga Debëlldeja i është rritur numri i banorëve. Gazetari Dibran Istrefi, ka udhëtuar në fshatin kufitar për t’u takuar me familjet e strehuara nga Maqedonia.
Ai ka strehuar familjen Sejdiu nga Tanusha e Shkupit që nga nata e të shtunës. Ata kishin kaluar kufirin në mënyrë ilegale nga Maqedonia për në Kosovë.
Familja Sejdiu thotë se e lanë fshatin e tyre pasi morën vesh se çfarë po ndodhte në Kumanovë.
Makfire Sejdiu nga Tanusha pohon se situata në Kumanovë i ka shtyrë që të largohen nga fshati i tyre.
Nikoqirët e familjes nga Maqedonia janë të gatshëm që të presin familje të tjera karshi mundësive që kanë.
Situata aktuale në Maqedoni ka sjellë në fshat një familje tjetër në lagjen e Shabanajve, e cila nuk është prononcuar.
Banorët në Debëllde kanë mohuar vërtetësinë e deklaratave të zyrtarëve maqedonas, se nga Kosova po hyjnë forca të armatosura.
Konflikti në Maqedoni ka mobilizuar edhe komunën e Gjilanit. Kryetari Lutfi Haziri gjatë ditës së shtunë është takuar dy herë me Këshillin e Sigurisë së Komunës.