Lajmet e fundit

Prishja e konsensusit me opozitën, por edhe rezervat që ka shfaqur një pjesë e mazhorancës lidhur me reformën në drejtësi, kanë angazhuar edhe një herë ndërkombëtarët në gjetjen e një zgjidhjeje që do t’i hapte rrugë miratimit të saj në parlament.
Dy ditë pasi grupi i ekspertëve vendës dhe ndërkombëtar përfunduan draftin final të ndryshimeve kushtetuese dhe distancimit të prerë ndaj tyre të opozitës dhe LSI-së, dy ambasadorët më të rëndësishëm në vend, ai amerikan Donald Lu dhe ajo e BE-së, Romana Vlahutin kanë zhvilluar dje një takim me kryeministrin Edi Rama në zyrën e këtij të fundit.
Takimi ka zgjatur afro 100 minuta dhe burime nga kryeministria kanë konfirmuar se biseda ka qenë fokusuar pikërisht te situata e krijuar në skenën politike në vend, lidhur me reformën në drejtësi. Mësohet se qëllimi i dy diplomatëve ka qenë zhbllokimi i ngërçit të krijuar mes mazhorancës dhe opozitës mbi draftin e reformës.
Nga ana e tij mësohet se Rama edhe një herë është shprehur se i mbetet besnik nevojës për të realizuar këtë reformë, ndërsa ka siguruar ambasadorët se do të pranojë çdo vendim dhe sugjerim që do të bëj Komisioni i Venecias për çështjet për të cilat është prishur dhe konsensusi mes palëve në Shqipëri.
Kështu, ai edhe publikisht ka bërë të ditur se i mbetet variantit që gjyqtarët kushtetues, prokurori por edhe anëtarët e institucioneve të tjera të drejtësisë të zgjidhen me 3/5, por ka lënë të hapur mundësinë që në rast se Komisioni i Venecias do të sugjeronte votimin me 2/3 e votave atëherë ai do ta pranonte edhe këtë variant.
Më herët gjatë muajit ambasadori Lu deklaroi se angazhimi i tij për reformën në drejtësi nuk është personal, por pjesë e agjendës së rekomanduar nga Shtëpia e Bardhë. Përpjekjeve të Lu dhe Vllahutin për të arritur konsensus do t’u bashkohet fillimjavën e ardhshme edhe Angelina Eichhorst, drejtore për Ballkanin perëndimor në Komisionin Europian, e cila do të vizitojë Tiranën.
Zonja Eichhorst, në një postim në rrjetin social Twitter ka deklaruar se, “kjo vizitë do t’i shërbejë stabilitetit, gjithëpërfshirjes dhe zbatimit të 5 prioriteteve”.
Por më shumë se me opozitën, kreu i qeverisë duket se vuan marrëdhëniet me aleatin e tij Ilir Meta, partia e të cilit është pozicionuar hapur kundër draftit të hartuar nga ekspertët duke propozuar në të njëjtën kohë me anë të ministrit të saj të Drejtësisë dhe një projektligj paralel për këto ndryshime dhe që ndryshon në pjesën dërmuese të propozimeve që kanë bërë ekspertët e mandatuar nga komisioni i posaçëm i Reformës në Drejtësi./Mapo.al