Lajmet e fundit

Seanca e së hënës në Kuvend e cila u thirr për të diskutuar në veçanti për 100-ditëshin e qeverisë Kurti 2, nisi me tema të tjera e pati edhe debat.
U pa e udhës nga shefja në detyrë e Grupit Parlamentar të VV-së që të përmendet për të mirë qëndrimi i Kosovës për të mos u bërë pjesë e nismës së minishengenit që tashti quhet Ballkan i Hapur, njofton Klan Kosova.
E derisa Kosova nuk po ulet në një tavolinë ku është edhe Serbia, karshi kësaj të fundit nuk është ri-vendosur akoma reciprociteti, temë kjo e cila u hap sërish nga deputetët e PDK-së që i drejtuan pyetje kryeministrit Albin Kurti për kohën e vendosjes së kësaj mase.
Kryeministri bëri të ditur se reciprociteti do të vendoset por qeveria nuk do që të dështojë andaj po studiohet ende për mundësitë.
Deputetët tjerë të Partisë Demokratike paradite u interesuan edhe për 1000 testet e ardhura donacion nga Serbia në fillim të pandemisë. Për to u njoftua se do të asgjësohen, sikur që do të bëhet edhe me materialet tjera pa afat.
Pikat më serioze për çka u thirr kjo seancë u trajtuan tek pas mesditës. Deputetët votuan kryetarin dhe dy anëtarë të bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. 67 deputetë morën pjesë në votim dhe zgjodhën Ymer Fejzullahun për kryetar dhe Gani Buqaj e Lutfije Dervishin anëtarë të bordit.
Të mjaftueshme nuk ishin votat edhe për anëtarët e KPM-së, ndërkaq për ta krijuar institucionin e operës fillimisht nuk pati kuorum. Tek pas pauzës, opozita ia dha një dorë votimin dhe me 75 vota u krijua Opera e Kosovës, për të cilin gjatë këtij viti kryhen vetëm punët administrative.