Lajmet e fundit

Për ngjarjen e mëngjesit të sotëm në Lazarat ka reaguar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Në deklaratën e shkurtër dënohet vrasja e efektivit të RENEA-s dhe kërkohet ndëshkimi i autorëve të krimit.
“I shprehim ngushëllimet më të thella familjes së oficerit të policisë Ibrahim Basha – anëtar i Forcave Speciale Shqiptare, dy herë pjesëmarrës në misione me forcat e NATO-s në Afganistan – i cili u vra në Lazarat sot.
Mendimet tona janë edhe me dy oficerët që u plagosën në krye të detyrës. Ambasada e SHBA mbështet plotësisht përpjekjet e ligjzbatuesve shqiptarë për të garantuar sigurinë e qytetarëve shqiptarë dhe bën thirrje që autorët e këtij krimi të tmerrshëm të ndiqen penalisht dhe të dënohen me të gjithë fuqinë e ligjit.
Dënojmë me forcë çfarëdo dhune që drejtohet ndaj forcave të zbatimit të ligjit”, thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA-ve./Lapsi.al