Lajmet e fundit

Njoftimi i G7-s, për të hequr dorë krejtësisht nga energjia prej qymyrit, naftës dhe gazit gjatë këtij shekulli, nga disa opinionistë u përshëndet e nga të tjerë u prit me skepticizëm dhe me akuzat për lojë të dyfishtë shkruan Top Channel.
Një pjesë e shtypit gjerman e lavdëron Angela Merkelin, që arriti të shkëpusë prej 7-shes më të fuqishme të globit, një deklaratë mbi ndryshimin e klimës, që i “tejkalon pritshmëritë”.
Sidomos Kanadaja dhe Japonia, ishin dy vendet që duhej të bindeshin për të hequr dorë nga qymyri. Por kryetari i grupit parlamentar të Partisë së Gjelbër, Anton Hofreiter, e akuzon kancelaren se luan një lojë të dyfishtë në politikën e klimës.
Ai iu referua kështu rezistencës së CDU-së dhe CSU-së ndaj kërkesës së zëvendëskancelarit socialdemokrat, Sigmar Gabriel, i cili ka kërkuar një taksë të klimës për termocentralet e vjetra me qymyr.
Nuk janë të paktë, megjithatë, ata që mendojnë se, pavarësisht fuqisë së tij ekonomike, grupi i 7 vendeve më të industrializuara të botës nuk arrin, që të shndërrohet në një fuqi politike.
Vendet e G7-s nuk ishin në gjendje t’i ndalin vrasjet dhe torturat e Shtetit Islamik, konflikti në Ukraninë nuk mund të zgjidhet pa Rusinë; ndërsa në krizën e Athinës topi është në fushë e qeverisë greke.