Lajmet e fundit

Fillimi i ndërtimit të vendbanimit për 1500 serbë nga Serbia, në hapësirën në mes të Zveçanit dhe Mitrovicës së Veriut, ka ngjallur reagime edhe të serbëve të veriut të Kosovës, por edhe të shqiptarëve në jug dhe të subjekteve politike.
Serbët shprehen me shumë optimizëm se projekti “Lugina e Diellit” do të realizohet pas deklaratave të nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, i cili u ka dhënë të drejtë serbëve që të ndërtojnë, duke u bazuar në marrëveshjet në mes të Prishtinës dhe Beogradit, por edhe duke u bazuar në Planin e Ahtisaarit.
Mediat serbe citojnë Halitin, i cili ka thënë se, “kam mendimin tim në pajtim me Planin e Ahtisaarit dhe me Kushtetutën e Kosovës se Serbia ka të drejtë të ndërtojë dhe t’i ndihmojë serbët në Kosovë në shumë fusha, duke përfshirë edhe infrastrukturën”.
Veselin Dragutinoviq, një arkitekt me profesion, i ka thënë gazetës “Zëri” të shtunën se i vjen mirë që Haliti e ka thënë një të vërtetë.
“Ai e ka thënë një të vërtetë dhe ne i jemi mirënjohës, që të paktën një udhëheqës kosovar po e flet të vërtetën. Ndërkaq, pohimet e kryeministrit Mustafa dhe të ministrit Agani, Dragutinoviq i ka quajtur kërcënime më pushkë të zbraztë. “Që të dy ata e dinë se nuk mund të bëjnë asgjë. Veriu dhe gjithë Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë, ndërsa sa i përket pjesës veriore, ata mund të shohin vetëm ëndrra se mund të bëjnë diçka për ta ndaluar projektin ‘Suncana Dolina’”, ka thënë Dragutinoviq.