Lajmet e fundit

Gjatë kësaj jave kanë shpërthyer pakënaqësitë ndaj revistës satirike franceze Charlie Hebdo, pasi ata përmes satirës e kanë parashikuar se çfarë do të bëhej kur të rritej vogëlushi Aylan, i cili humbi jetën në ujërat e Turqisë.
Pas ngjarjeve te natës së vitit të ri në Gjermani, ku është raportuar se shumë femra janë sulmuar seksualisht nga refugjatët, kjo revistë vogëlushin Aylan e përshkruajti si përdhunues.
"Çfarë do të bëhej vogëlushi Aylan kur të rritej? Një sulmues seksual në Gjermani", janë fjalët e shkruara së bashku me skicën e vizatuar.
Në mesin e reagimeve të shumta, vjen edhe ai nga Mbretëresha e Jordanisë, Rania.
Ajo i është kundërpërgjigur këtij publikimi, që shumica e kanë cilësuar si racist, islamofobik dhe shumë të papëlqyeshëm, me një skicë të saj, të cilën e ka postuar në Twitter.
“Aylan mund të ishte bërë doktor, mësues, një prind i dashur”, ka shkruar Rania në postimin e saj.
Ajo këtë reagim e bëri në dy versione – një në frëngjisht dhe një në anglisht – dhe kishte pranuar edhe pak asistencë nga redaktori karikaturist, Osama Hajjaj, transmeton Klan Kosova.