Lajmet e fundit

Burim Ramadani, Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, në një intervistë në Info Magazine në Klan Kosova, duke folur për themelimin e Gjykatës Speciale, ky tribunal nuk duhet të themelohet nga Organizata e Kombve të Bashkuara, por të gjendet një mënyrë alternative e themelimit të saj.
“Aleanca beson se institucionet e Kosovës duhet të koordinohen për ta gjetur një rrugë të mesme duke mos e votuar Gjykatën Speciale por duke mos e lejuar që Gjykata Speciale të themelohet në OKB në Këshillin e Sigurimit”,
Sipas tij nëse Specialja lihet në duart e OKB-së, kjo do ta dëmtonte Kosovën.
“T’i lejohet OKB-së ta themelojë Gjykatën, do të ishte veprim i dëmshëm për Kosovën. Nëse kjo do të ndodhte shteti kosovar do të kthehej në një vend të administruar nga OKB-ja”, ka deklaruar Ramadani.
“Është e nevojshme dhe e domosdoshme që të mos lejohet themelimin i tillë të dhomave nga Kosova dhe në asnjë variant të mos lejojë që OKB t’i themelojë atë”.
Lëvizja Vetëvendosje dhe NISMA e mbajnë qëndrimin se kjo gjykatë duhet të themelohet nga OKB-ja, kurse Ramadani ka shprehur qëndrimin zyrtar se AAK mendon ndryshe.
Sipas tij, edhe pse LVV, Nisma dhe AAK, janë një bllok konsistent opozitar, secili subjekt dhe zyrtar i partisë politike ka të drejtë t’i shprehë qëndrimet e veta rreth një çështjeje të caktuar.
Ai gjithashtu ka dhënë një ide se cila do të ishte mënyra e duhur për ta themeluar Specialen.
“Duhet të gjendet një rrugë e mesme. Ajo të cilën ne e kemi menduar, duhet të jetë një variant sikur në kohën kur është ratifikuar shkëmbimi i letrave. Do të mund të ishte një panel që do të merrej me çështjen e dëshmitarëve. Gjykata do të duhej të ishte në Kosovë, e kombinuar mes gjykatësve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë”, ka thënë Ramadani.