Lajmet e fundit

Në mitingun përmbyllës të ASHE-së në prag të zgjedhjeve në Dibër, kryeministri Edi Rama deklaroi se dibranët, të dielën, duhet të vazhdojnë rrugën e Rilindjes.
“Nuk e prisja që ky shesh të ishte kaq i mbushur dhe entuziast, por jam i bindur se PD-ja do thotë që sheshi ishte bosh dhe Dibra e braktisi Edi Ramën. Keni për të bërë zgjedhje mes një kandidati që ka ardhur për partinë e tij dhe Muharemit që është këtu për komunitetin e tij. Muharemi është për të shëruar bashkë me ju plagët e trashëguara të Dibrës. Shkurt, një kandidat nga halli, që është Sherefedini dhe një kandidat për të zgjidhur hallet tuaja. Ditën e dielë të vazhdojmë së bashku rrugën e Rilindjes për Dibrën”, tha Rama.
Ndërsa vetë kandidati, Muharem Rama, u shpreh se ka bërë zgjedhjen e duhur kur pranoi të hidhte kandidaturën: “Kam bërë zgjedhjen e duhur, e kam kuptuar nga mikpritja juaj. I njoh shumë mirë hallet dhe dua t’i jap zgjidhje. Kemi gati atë që duhet të bëjmë. Jam i bindur se do e bëjmë qytetin të zhvilluar ekonomikisht”.
Koordinatori Damian Gjiknuri theksoi se mazhoranca erdhi në Dibër me njeriun e duhur: “Erdhëm me dikë që i është gjendur njerëzve dhe që ka sakrifikuar për qytetin. Nuk erdhëm me njerëz që e kanë harruar Dibrën dhe që nuk kanë bërë gjë edhe kur e kanë përfaqësuar. Është fjalëpak e punëshumë. Pala tjetër i do zgjedhjet në Dibër për shpresat elektorale që nuk do të vijnë kurrë. Të kishit hall, ku do trokisnit? Të dera e Sherefedinit apo e Muharem Ramës. Të gjithë më kanë thënë: te Muharemi sepse është njeri”.
Ndërkohë, Gramoz Ruçi u shpreh se “ata flasin sikur do të zhvillohen zgjedhje në Shqipëri, ndërsa ne po flasim për zgjedhje në Dibër”, raporton TCH, përcjellë Klan Kosova.
“Doktor Remi ka ndenjur këtu gjithë jetën. Të ardhmen e fëmijëve të tij e ka lidhur me Dibrën dhe ai i di hallet e do të zgjidhë problemet e qytetit. Jam e bindur që do t’i jepni fitoren”, tha Olta Xhaçka.