Lajmet e fundit

Në një takim me kryetarët e bashkive në Kryeministri, kreu i Qeverisë shqiptare, Edi Rama deklaroi se tregjet e kafshëve kanë probleme të mëdha.
Ai shtoi se është “detyrë e kryebashkiakëve për mbylljen” e këtyre tregjeve.
Sipas tij, tregjet janë pa standarde.
“Shërbimi veterinar në ato tregje kryhet në mënyrë informale, me korrupsion dhe pa bërë asnjë shërbim minimal dezinfektimi. Nuk kanë asnjë gjurmueshmëri të lëvizjes së kafshëve dhe produkteve që vendosen në shitje. Jemi shumë të shqetësuar dhe të vetëdijshëm që është trashëgimi e rëndë për ju, por edhe ju duhet të jeni të vetëdijshëm që keni më shumë se një vit në krye të bashkive”, tha Rama para kryebashkiakëve, shkruan gazeta Shekulli.
“Kjo situatë duhet marrë si alarm dhe jo si gjykim negativ për ju. E di që nuk e përballoni dot të vetëm këtë situatë dhe do të keni mbështetjen e qeverisë. Për të ndaluar këtë situatë të vazhdojë, ju duhet vendosmëri për t’u përballur me këtë informalitet ekstrem që është turp për Shqipërinë”, vazhdoi më tutje ai.
Rama shtoi se nga data 1 dhjetor, “kafshët duhet të jenë të pajisura me certifikatën veterinare, përndryshe, do të sekuestrohen”. “Për vitin 2017 do të matrikullohen të gjitha kafshët që mbarështohen e për pasojë nuk do të ketë më kafshë të pamatrikulluara.
Nuk mund të lejojmë që mishi të theret e të shitet në Shqipëri si në Mesjetë”, deklaroi kreu i Qeverisë.