Lajmet e fundit

Kryeministri Edi Rama ka mohuar zërat se do të bëhen ndryshime në kabinetin e tij qeveritar.
Në një intervistë në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, kreu i qeverisë foli për marrëdhëniet e tij me kreun e Kuvendit, dhe njëkohësisht aleatin e tij në koalicion, Ilir Metën.
“Marrëdhëniet i kemi krejt normale. Kur unë kam marrë nismën për të krijuar këtë partneritet strategjik nuk kam menduar që do të kishim kaq pak probleme me njëri-tjetrin. Kam qenë i bindur që koalicioni do të funksionojë, por kam pritur shumë më tepër. Kemi patur debate të rralla dhe asnjë konflikt. Ne diskutojmë rregullisht me njëri-tjetrin por ju siguroj që në asnjë rast nuk kemi patur distancë në gjykimin përfundimtar të gjërave.
Nuk më ka kërkuar largimin e askujt nga qeveria. Nuk doja tua thosha asgjë nga këto kur bëhen debate të brendshme. Por që t’ju tregoj shqiptarëve se sa banale është në tërësi dhe pothuajse gjithë kohën pasqyra e shtypit shqiptar e mediave shqiptare, ju betohem që në asnjë moment nuk kemi folur për ndryshime qeverie. Dhe në asnjë moment nuk kanë qenë të vërteta ato budallallëqe që ju shiten shqiptarëve si zbulime, si sekrete. Mua më duket më shumë kriza e mediave”, shkruan gazeta Shekulli.