Lajmet e fundit

Kandidati për kryetar të Prishtinës i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama, e ka shpalosur projektin e "Tullëtorja" që premton ta bëjë në lagjen "Kodra e Trimave".
"Duke shërbyer si qendër universitare dhe mjekësore, Kodra e Trimave dikur është quajtur ‘kështjellë’ duke qenë në radhët e para të qëndresës", ka thënë Rama në konferencë për media.
"Sot, Kodrën e Trimave e shoh si ‘Porta e Qytetit’, që do të përfaqësojë të arriturat më të mëdha të rigjenerimit të qytetit të Prishtinës. Ky rigjenerim i zonës do të fillojë me projektin tonë të Tullëtores e cila do të shndërrohet në Muze të Artit Modern".
Rama tha se aty do të krijohet një parking nëntokësor, si dhe një platformë urbane që lidh këtë lagje me qendrën.
"Platforma e gjelbër urbane do të krijojë mundësi për lëvizje të lehtë e të drejtpërdrejtë për çdo qytetar, e posaçërisht për persona me aftësi të kufizuara. Ky projekt do të shërbejë si fillimi i zhvillimit të të gjithë zonës së Kodrës së Trimave, e cila ka probleme me pronësi, mungesë të hapësirave të gjelbra, mungesë të Qendrës Rinore, mungesë të infrastrukturës rrugore, të kanalizimeve e problemeve të tjera".
"Në bashkëpunim të plotë me qytetarët e kësaj zone, dhe me të gjitha grupet e interesit, do të hartojmë planin urban për rigjenerimin e zonës, e cila është me rëndësi të madhe për qytetin".
Rama tha se projekti i Planit Urban do të zgjasë nëntë muaj dhe se zbatimi fillon pas një viti me kontrata publiko privat,e teksa projektet do të kryhen brenda një periudhe prej një deri në tetë vjet.
"Projekti i pikës ndërlidhëse mes Muzeut të Artit Modern me Qendrën do të kushtojë 25 milion euro. Fondet do të merren nga IPA, dhe 10 milionë nga fondet publiko-private, gjatë periudhës 3-vjeçare".