Lajmet e fundit

Kryeministri Edi Rama në reagimin e tij për protestën e organizuar nga opozita u shpreh se gjithçka ishte një vandalizëm mizerabël, pikërisht në ditën e rinisë. “Ç’shëmti e trishtueshme, mu në Ditën Kombëtare të Rinisë, të shohësh PD-në e sotme të mbytur në pellgun e një vandalizmi mizerabël, teksa kujton lëvizjen studentore që shembi regjimin komunist e i dha jetë vetë Partisë Demokratike, pa thyer asnjë xham.
Ç’shëmti e trishtueshme të krahasosh protestat e zemrave plot dritë, pasion, qytetari, ironi e humor të 25 vjetëve më parë, me këtë shfaqje të vobektë të politikës së ngjirur të PD-së, e cila sot përpëlitet mes baltës së mendjeve të errëta të SHQUP-it dhe një tufë të verbërish të cilët shajnë në hava, thyejnë xhama kot më kot, ndezin zjarre kuturu e dëmtojnë qorrazi, pronën publike në mes të bulevardit të Shqipërisë”, shkruan Rama.
Për kryeministrin Rama është e trishtueshme sesi Partia Demokratike nga një forcë e shpresës është katandisur në hije e vetvetes. “Ç’shëmti e trishtueshme të shohësh 25 vjet pas krijimit të saj si forcë e shpresës, besimit dhe vullnetit evropian të shqiptare, një PD të katandisur në hije e vetvetes, që shpresën e vdekur përpiqet ta ringjallë me sharje; besimin e humbur rreket ta rifitojë me gurë e shishe benzine mbi investimet publike; vullnetin evropian të shqiptarëve kujton se e mishëron duke shkatërruar dy instalacione të artit urban - me të njëjtën egërsi primitive që do t’i digjte e shkatërronte në fakt dhe fatkeqësisht edhe regjimi komunist”, thotë kryeministri.
Në fund të reagimit të tij Rama e cilëson Partinë Demokratike pa vizion, pa lidership, pa asnjë alternativë qeverisëse dhe pa asnjë lidhje me kohën evropiane të Shqipërisë. Deputeti socialist, Taulant Balla u bëri thirrje autoriteteve të drejtësisë që të identifikojnë dhunën dhe dhunuesit e protestës së djeshme që u mbajt nga opozita, ndërsa theksoi se dekriminalizimi duhet të nisë me Lulzim Bashën dhe Sali Berishën.
Në një mesazh në rrjetet sociale, Balla ironizoi duke thënë se ky ishte revoLULcioni i njerëzve të inkriminuar. “RevoLULcioni i njerëzve të inkriminuar. Për ata që ndoshta e kishin harruar, sot (dje) panë fytyrën e vërtetë të një partie që krimin e ka program të partisë, dhunën e kanë statut, liderin dhe kryeliderin hajdut.
Dhuna dhe dhunuesit të fotografohen dhe të identifikohen të gjithë. Ligji të godasë me forcë. Policia dhe prokuroria të bëjnë detyrën në kushtet e shkatërrimit të pronës publike. Faturën e dëmeve nuk duhet ta paguajë buxheti i shqiptareve, faturën ta paguajë frymëzuesi dhe krye frymëzuesi i dhunës. PD-ja të dëmshpërblejë dëmet. Lulzim Basha dhe Sali Berisha na rikonfirmuan sot se dekriminalizimi duhet të fillojë pikërisht me këta dy”, shkruan Balla. Deputeti socialist Alfred Peza tha se protesta e opozitës nuk mund të quhet as protestë e rinisë dhe as protestë kundër varfërisë.
Sipas Pezës, në protestë kishte zonja që vetëm shalli u kushtonte 1500 euro, ndërsa gra të moshuara u shfrytëzuan për t’i vënë flakën posterave. “Ishte një zonjë që vetëm shallin e kishte 1500 euro dhe protestonte për varfërinë.
Deputetët e PD-së të gjithë me makina nga 100 mijë euro e sipër me ora 30 mijë euro me dreka e darka me verëra nga 100 euro e sipër. Shfrytëzuan një nënë për t’i vënë flakën një banderole, doli njëri me sëpatë që tha do t’u presë kokë e këmbë serbëve”, tha Peza. Deputeti socialist tha se kundërshtarët e Lulzim Bashës në PD-së si Topalli, Bode, Ruli apo Selami, nuk ishin në protestë./Shekulli