Lajmet e fundit

Banka e Shqipërisë mbajti konferencën vjetore të saj, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë tha se “kriza e euros ishte e rëndë për ekonomitë e vogla” dhe për këtë arsye "bashkëpunimi ndërkombëtar ekonomik është bërë i domosdoshëm”.
Më tej, Rama shtoi se në mënyrë që të ulen më tej kreditë e këqia, duhet që bizneset të ndryshojnë mentalitet në qasjen ndaj bankave: “Kreditë e këqia njohën rritje dhe prekën tavanin e 25%. Tashmë, jemi te shifra 20%, por për të shkuar më poshtë ka nevojë për një transformim të mentalitetit të biznesit në qasjen ndaj bankave”.
Kryeministri theksoi se bujqësia është sektori më i rëndësishëm i ekonomisë sonë: “Është e qartë se bujqësia është sektori me kontributin më të madh në ekonominë vendase. Nisur nga kjo, jemi fokusuar në mbështetjen sistematike të zhvillimit të prodhimit në bujqësi”.
Ndërkohë, guvernatori Gent Sejko tha se “sistemi bankar ka vazhduar të jetë financiarisht i shëndetshëm dhe ka hapësira dhe mundësi për të kredituar projekte”.
Gjithsesi, Sejko shtoi se “aktiviteti ekonomik në vend nuk është ende aty ku duhet”.
"Ekonomia shqiptare ka një potencial të papërdorur. Duhen reforma strukturore për të ndryshuar gjendjen. Rritja afatgjatë kërkon reforma të orientuara drejt produktivitetit", u shpreh guvernatori i Bankës së Shqipërisë./ Tch