Lajmet e fundit

Gjatë Forumit të Sigurisë i cili po zhvillohet në Beograd, dy kryeministrat ai nga Shqipëria, Edi Rama, dhe ai nga Serbia, Aleksander Vuqiç, diskutuan edhe për Ligjin për Trepçën dhe rastin e arrestimit të Nehat Thaçit.
Fillimisht Ligji për Trepçën u përmend nga Edi Rama, ndërsa Vuçiq tha se ky veprim është politikë ditore e tij dhe se Rama është një politikan më i mirë se sa ai, njofton Klan Kosova.
Në lidhje me Ligjin për Trepçën, Vuçiq deklaroi që nuk e kupton këtë veprim dhe se janë anashkaluar serbët në Kosovë sa i përket miratimit të këtij ligji.
“Nuk kanë dashur që të flasin me serbët që janë në Kosovë, vetëm vazhduan me procedurat, iu shmangën atyre dhe u përkujdesën për arsyet e veta politike” ka thënë Vuqiç.
Ndërsa Rama replikoi me Vuçiq, duke thënë që askush nuk do të mund të kuptonte se si kundërshtohet një minierë e cila gjendet në territorin e Kosovës, dhe se kjo nuk mund të bartet në Serbi.
“Nuk ka mundësi që Trepça të importohet në Beograd. Nuk po them kush çfarë bëri, por ka disa gjëra që po dalin nga e kaluara dhe përbejnë pengesë për të ardhmen” ka thënë Rama.
Në fund sa i përket sovranitetit territorial të Kosovës, Rama bëri të qartë që nuk pajtohet me Serbinë.