Lajmet e fundit

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti u prit sot në një vizitë zyrtare nga Kryetari i Rahovecit , Smajl Latifi.
Në këtë vizitë, Koordinatori Hoti nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me kreun e Rahovecit për realizimin e Programit Nacional për Rininë në Komunën e Rahovecit.
Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport vlerësoi lartë gatishmërinë për bashkëpunim të Kryetarit Latifi për realizimin Programin Nacional për Rininë dhe e falënderoi atë për mbështetjen e ofruar.
“Programi Nacional për Rininë është hartuar për të gjithë nxënësit e Republikës së Kosovës të nivelit fillor, të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë. Në kuadër të këtij programi do të organizohen gara në tri fusha kryesore: dituri, kreativitet kulturor dhe mendim kritik si dhe në sport. Për të trija fushat janë përgatitur udhëzuesit për rrjedhën e garës. Roli i komunës në realizimin e këtij programi është i rëndësishëm prandaj ju falënderoj për mbështetje”, tha Koordinatori Hoti.
Ndërsa, numri një i Rahovecit, Smajl Latifi tha se komuna që ai udhëheq është e gatshme të realizojë Programin Nacional për Rininë.
“Jemi të gatshëm të implementojmë çdo program që është i nivelit të lartë shtetëror si dhe që është në të mirë të rinisë. Bashkë me Drejtorinë Komunale të Arsimit do të bashkëpunojmë me Koordinatorin Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport për të implementuar Programin Nacional për Rininë”, tha ndër të tjera Latifi.