Lajmet e fundit

Kandidatja për Asambleiste në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Jeta Rafuna, ka thënë se LDK është parti e zhvillimit dhe jo e uzurpimit, njofton Klan Kosova.
Rafuna, e cila kandidon nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njoftoi edhe për disa nga planet e kësaj partie në rast të rikthimit në pushtet në Prishtinë.
“Nëpër secilën lagje ka nevojë për çerdhe”, tha Rafuna në Info Lokale të Klan Kosovës, duke treguar se në rast të qeverisjes së partisë së saj, ata në plan e kanë ndërtimin e një çerdheje në Sofali dhe një në Kolovicë, pra dy çerdhe në fillim të mandatit.
Sipas Rafunës, interesimi i grave në politikë tani është më i madh, dhe se kjo po e gëzon.
Ajo tha se çdo ditë e më shumë gratë po kyçen në politikë dhe në sfera të ndryshme.
Rafuna pohoi se në partinë e saj mbështeten gratë.
Tutje, në rast se LDK del fituese, ajo tha se LDK do ta zhvillojë qytetin më shumë se që e ka zhvilluar mandatin e kaluar.
“Jemi parti e zhvillimit, dhe jo e uzurpimit”, tha Rafuna.
“Mendoj se do të hyjmë në balotazh, dhe balotazhin do ta fitojmë”.