Lajmet e fundit

Analisti politik Gazmir Raci ka thënë se të vetmen marrëveshje që Kosova duhet ta zbatojë në raport me Serbinë është ajo e prillit të vitit 2013, ku thuhet se Kosova duhet ta themelojë asociacionin, i cili duhet të ketë strukturën e njëjtë me asociacionin aktual që e ka Kosova, e që është OJQ.
“Në dokumentin e dalë në vitin 2015 ka pasur pajtim edhe nga Serbia, edhe nga ShBA-ja, edhe nga BE-ja, që ajo do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar, duke thënë se asociacioni duhet të themelohet sipas marrëveshjes së vitit 2013”.
“Marrëveshja e vitit 2013 thotë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të ketë strukturën e njëjtë me asociacionin aktual që e ka Kosova. Asociacioni aktual është OJQ”, ka thënë Raci në “Rubikon” në Klan Kosova.
Ai gjithashtu ka komentuar edhe fazën e re të dialogut Kosovë – Serbi, ku tha se më e rëndësishmja në këtë fazë është transparenca, që sipas tij, po del të jetë problem për kryeministrin aktual, Albin Kurti.
Më tej, Raci tha se sa i përket neglizhencës në dialog, ishte “Qeveria Haradinaj” ajo që e neglizhoi më së shumti.
“Deklarata e kryeministrit Haradinaj, ku tha se unë nuk merrem me dialogun, krijoi probleme të mëdha, ku ia la ish-presidentit. Në 2017 kam dalë prej qeverisë dhe kam pasur çdo ditë telefonata prej bashkëpunëtorëve evropianë, të cilët nuk kishin adresë në qeverinë Haradinaj për dialogun, një vit e gjysmë ka shkuar kështu”, ka thënë Raci, njofton Klankosova.tv.