Lajmet e fundit

Edicioni i sotëm i emisionit Info Magazine në Klan Kosova, i është kushtuar protestave të sotme dhe krizës politike në përgjithësi.
Mirëpo kësaj radhe në studio s’kishte politikanë e as analistë e opinionistë që flasin rreth ngjarjeve politike.
Sot në Info Magazine folën qytetarët që s’paraqiten në media, por që megjithatë ndajnë një qëndrim rreth ambientit politik që është krijuar që kur Qeveria e Kosovës ka nënshkruar dy marrëveshje: atë për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë dhe për Demarkacionin me Malin e Zi.
Ky emision do të jetë i veçantë i Kushtrim Sadikut të ftuar kishte Ilir Bajrin muzikant, Veli Bytyqin qytetar si dhe Jeton Zogianin aktor mirëpo sonte në cilësinë e qytetarit.
Bajri shprehet se situatë na të cilën ndodhemi sot, kjo situatë me tensione politike në kulmin e tyre është si pasojë e paaftësisë së shoqërisë kosovare që të përballet me problemet që paraqiten.
Ai mendon se nuk duhet të habitemi me situatën në të cilën ndodhemi për shkak se një situatë e tillë është produkt i politikanëve që kanë dalë nga ky mentalitet dhe sistem edukativ.
“Jemi në një situatë ku askush nuk e ka të qartë se cila do të jetë zgjidhja. Ajo që po ndodh sotë është reflektim i paaftësisë kolektive. S'jemi të gatshëm të ballafaqohemi me problemet sociale që na paraqiten. Ne e kemi kuptuar paaftësinë tonë që të përballemi me problemet që na paraqiten. Politikanët janë produkt i këtij sistemi të edukimit dhe produkt i këtij mentaliteti”, thotë Bajri.
Pak a shumë për këtë ambient politik, njëjtë si Bajri mendon edhe Veli Bytyqi i cili thotë se asnjë qytetar i Kosovës s’mund të rrijë indiferent karshi këtyre ngjarjeve shumë të dhunshme e me plot tensione.
Bytyqi thotë se është koha që edhe pozita edhe opozita të bëjnë kompromise.
“Ne si shoqëri e kemi problem të debatojmë dhe s'kemi tolerancë, e s'duhet të habitemi me veprimet e klasës politike. Veli Bytyqi Qytetarët e Kosovës po përjetojnë një traumë kolektive, dhe asnjë qytetar që është normal s'mund t'i kalojë me indiferencë këto ngjarje. Nuk mbaj mend që kur kam ardhur në Prishtinë, që nuk e kam kaluar çdo vit me gaz lotsjellës, jo nga njerëzit tanë por nga regjimi. Por në këtë rast të dyja palët duhet ta tejkalojnë vetveten dhe të gjejnë një zgjidhje”.
Sipas Bytyqit, tani është momenti që kryeministri i Kosovës Isa Mustafa të tregojë lidership e t’i japë zgjidhje situatës e fund tensioneve.
“Duket se të dyja palëve diçka e tillë po u shkon për shtati. Kjo është garë politike që në thelb ka edhe zgjidhje. Kryeministri i Kosovës duhet të tregojë lidership. Sistemi në Kosovë ka rënë dhe asgjë s'po funksionon. Shoqëria kosovare ka kaluar në një nivel ku s'ka sistem vlerash. Për ta ndryshuar këtë gjendje pothuajse s'është bërë asgjë. Kësaj situate s'i paraprinë një fjalor i egër dhe muskuloz. S'mund të bëhet politikë efektive pa kompromise. Nëse e tensionojmë situatën dhe kalojmë në këtë gjendje herë pas here, s'i kontribuojmë gjendjes. Ky vend s'është i pashpresë, por me këta njerëz është vështirë të bëhet shtet. Nëse Isa Mustafa nuk e bën veprimin e duhur, do ta bëjë dikush tjetër”, shprehet Veli Bytyqi.
Kurse, Edon Zogiani thotë se opozita s’po i zgjedhë mjetet për arritjen e pushtetit dhe të vetmit që po e pësojnë nga situata janë qytetarët e Kosovës e fëmijët e këtij vendi.
Ai shton se pasojë e qeverisjes së keqe, është mungesa e kuadrove të përgatitura që të qeverisin me vendin.
“Pas të gjitha skenave që shpesh i kemi parë edhe në parlament, prapa asaj kanë dalë të përqafuar e u ka shkuar mirë muhabeti. Që të dyja palët po shfrytëzojnë e s'po kursehen në mjetet që po i përdorin për të arritur në pushtet. E tërë kjo situatë nuk krijon zgjidhje dhe këto sjellje po na qojnë në një situatë nga e cila s'do të kemi rrugëdalje. Në tërë këtë situatë po e pësojnë qytetarët e Kosovës, e sot pësuan edhe fëmijët. E tërë kjo situatë po vjen si pasojë e asaj që ne s'po përgatisim kuadro për të qeverisur me këtë shtet. Opozita duhet të kthehet në parlament dhe duhet të fillojë dialogu. Nuk ka zgjidhje duke u hidhëruar nga situata dhe duke ikur nga debati”,tha Zogiani në Info Magazine.