Lajmet e fundit

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë sot ka organizuar tryezën e rrumbullaket ku edhe është bërë lansimi i Edicionit Special i Barometrit Kosovar i Sigurisë me fokus në "Perceptimet e Publikut për Politikën e Jashtme dhe Dialogun me Serbinë".
Në këtë raport thuhet se gati pesë vite pas fillimit të dialogut Kosovë-Serbi, si në nivelin teknik dhe politik, ky proces i vështirë ka ngjallur shumë debat të nxehtë në mesin e qytetarëve dhe elitës politike në Kosovë.
Sipas këtij hulumtimi, mungesa e transparencës gjatë gjithë procesit dhe vendimmarrja pas “dyerve të mbyllura”, kanë krijuar vakum dhe hapësirë për keqinterpretim e keqpërdorim të përmbajtjes së marrëveshjeve nga ana e elitave politike në Kosovë e Serbi. Gjithashtu, kjo ka penguar shumë aspekte të zbatimit të marrëveshjeve dhe nuk duket të ketë ndikuar në lehtësimin e jetës së qytetarëve,siç ishte premtuar në fillim.
"Në këtë drejtim, pothuajse gjysma e të anketuarve besojnë se Serbia po përfiton më shumë se Kosova prej këtij procesi, duke iu referuar proceseve të integrimit në BE për të dyja shtetet. Ngjashëm, pjesa më e madhe e të anketuarve besojnë se dialogu po dështon për të arritur qëllimin e vet kryesor– normalizimin e vërtetë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë" thuhet në një njoftim të QKSS-së..
Rezultatet tregojnë se mendimet ndaj çështjes që ka nxitur debat të nxehtë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi – pra, krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë – është perceptuar negativisht nga një pjesë e madhe e të anketuarve.
Në përgjithësi, gjetjet pasqyrojnë situatën politike në Kosovë ku shumica dërrmuese e të anketuarve, ose 71.7 për qind e tyre, kanë qëndrim negativ sa i përket themelimit të asociacionit, duke e parë atë si shumë të dëmshëm për Kosovën.
Vlen të përmendet se finalizimi i marrëveshjeve dhe detajet e publikuara të përmbajtjes së saj kanë zemëruar të anketuarit shqiptarë në Kosovë.
Përveç kësaj, rritja e vetëdijes për këtë marrëveshje, duke qenë çështja më e diskutuar në media dhe në mesin e politikanëve, ka kontribuar në një rritje të trendit negativ me rreth 10 për qind në krahasim me rezultatet e mëparshme të BKS-së.
Sa i përket të gjeturave të tjera, rezultatet e hulumtimit tregojnë se të anketuarit ndajnë perceptime të ndryshme dhe mjaft të dallueshme ndaj Shqipërisë dhe Serbisë. Gjetjet tregojnë se Shqipëria perceptohet si shteti më aleat ndaj Kosovës prej më shumë se 90 për qind e të anketuarve. Perceptimet pozitive ndaj Shqipërisë mund të shpjegohen nga një numër i madh i faktorëve, të cilat nxiten kryesisht nga vlerat e përbashkëta tradicionale, kombëtare, kulturore dhe historike. Gjithashtu, rritja e lehtë e mendimit pozitiv ndaj Shqipërisë, në krahasim me edicionin e mëparshëm të BKS-së, ka qenë gjithashtu i shtyrë nga faktorët politik, më saktësisht nga qasja proaktive e Shqipërisë në mbështetje të ndërkombëtarizimit të pavarësisë së Kosovës.
Serbia, në anën tjetër, është listuar si shteti më armiqësor ndaj Kosovës nga 90 për qind e të anketuarve. Poashtu edhe Rusia është konsideruar si një shtet armiqësor nga 86.7 për qind e të anketuarve, transmeton Klan Kosova.