Lajmet e fundit

Doktorët e dënuar në rastin “Medicus”, Sokol Ajdini dhe Lutfi Dervishi, ende nuk kanë marrë asnjë dënim në QKUK për atë që Gjykata i ka gjetur fajtorë në dy shkallë – transplantimin e organeve.
Por, për shkak të mosprezencës në punë gjatë një inspektimi me ulje në pozitë është dënuar Sokol Ajdini kurse vërejtje i është dhënë Lutfi Dervishit.
Komisioni Disiplinor i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës e ka ndëshkuar me ulje në detyrë pa të drejtë avancimi shefin e Mjekimit Intensiv të QKUK-së Sokol Ajdini, i dënuar me 5 vjet burg edhe në rastin “Medicus”.
Por Ajdini nuk është ulur në pozitë e as nuk i është ndaluar avancimi si rezultat i dënimit të shqiptuar nga Gjykata, por për shkak se Inspektorati Shëndetësor i Kosovës e ka gjetur atë duke punuar në një klinikë private, në kohën sa ai do të duhej të punonte në QKUK.
Lajmin e ka marrë vesh gazeta "Zëri", nga burime brenda QKUK-së, të cilat kanë thënë se kjo është njëra ndër ndëshkimet më të rënda të shqiptuara për ndonjë mjek nga Komisioni Disiplinor i QKUK-së pak kohë para se doktori të shkojë në vuajtje të dënimit.
Ajdini 5 vjet burg për transplantim ilegal organesh dhe 5 vjet mosavancim për mungesa në punë
Por, nuk është i vetmi Ajdini që është dënuar nga Inspektorati Shëndetësor. Vërejtje me shkrim i janë dhënë edhe 10 profesionistëve të tjerë shëndetësorë, përfshirë edhe të dënuarin tjetër në rastin “Medicus”, Lutfi Dervishi.
Ky i fundit, siç merr vesh gazeta, ka disa javë që nuk është paraqitur fare në vendin e tij të punës në Klinikën e Urologjisë në QKUK, pas vendimit të shkallës së dytë që e ka dënuar me tetë vjet burgim për transplantim ilegal organesh.