Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) vetëm edhe këtë të mërkurë deri në orën 24:00 ka kontratë aktive për sigurimin e objekteve të veta në formë fizike.
E, meqë tenderi për këtë çështje ende është duke u zhvilluar në procedurë të rregullt të prokurimit, QKUK inicioni edhe një procedurë tjetër, atë të negocimit, raporton Klankosova.tv.
Ofertat u mbyllën me 18 mars, ku kanë konkurruar shtatë operatorë ekonomikë, në mesin e tyre edhe kompania aktuale që bën sigurinë fizike të klinikave dhe objekteve tjera.
Kjo kontratë është e paraparë për 6 muaj dhe kap vlerën e mbi 1 milion eurove.
Këtë procedurë të negociuar, QKUK për herë të parë e ka bërë të hapur edhe për media e shoqëri civile që i monitorojnë proceset e prokurimit.
Siç thanë nga QKUK, kjo u bë me qëllimin e vetëm për rritjen e transparencës.
Klan Kosova ka qëndruar deri në fund të këtij takimi, ku komisioni vlerësues në përbërje të Ardian Shefkiut, U.D. drejtor mjekësor, Mentor Zejnullahu, drejtor i ShPTA dhe Mukadeze Mustafa, zyrtare për financa në QKUK, u takuan me secilën palë veç e veç.
Komisionin e asistoi edhe Zenel Kuqi, U.D. shef i Prokurimit në QKUK.
Operatorët ekonomikë u pyetën se a kanë mundësi të ofrojnë çmime më të lira ose jo krahasuar me ofertat fillestare, se a kanë kapacitete dhe mundësi që të startojnë të punojnë qysh nga e enjtja në orën 24 dhe pyetje të ngjashme rreth procesit, përfshirë këtu edhe pagesën në bazë të rrogës mesatare.
Derisa çmimin e zbritur secilës kompani iu mundësua ta shkruajë në një letër duke e firmosur atë dhe duke e mbyllur në zarf.
Klan Kosova pa edhe hapjen e zarfeve me çmimet e zbritura, ku në mesin e operatorëve pati çmime mbi 700 mijë dhe 800 mijë euro.
Kompanitë e sigurimit u shprehën të kënaqura që ky proces për herë të parë në QKUK po monitorohet edhe nga mediat.
Sidoqoftë, pati edhe vërejtje lidhur me dy operatorët tjerë konkurrues që sipas tyre është dashur të shpallen të papërgjegjshëm qysh në fillim dhe të mos ftohen fare në negocim, meqë njëri u tha se e ka tejkaluar çmimin e ofertuar në raport me vlerën e kontratës dhe tjetri ka konkurruar nën çmimin minimal.
Komisioni lidhur më këtë sqaroi se në fund do të vlerësohen të gjitha dosjet, përfshirë edhe çmimet e negociuara kur për këtë të enjten do të bëhet njoftimi online.
Disa të tjerë patën ankesa edhe për renditjen si palë e ftuar, ku përgjigjja për këtë ishte që janë thirrur sipas renditjes së aplikimit në tender. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.