Lajmet e fundit

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës e ka përshëndetur ngritjen e aktakuzës nga ana e Prokurorisë Speciale të Kosovës ndaj një ish polici serb për krime kundër njerëzimit dhe dhunimit gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“QKRMT, si një organizatë jo-qeveritare e cila punon që dy dekada me të mbijetuarit e dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë, me qëllim të rehabilitimit të traumave dhe avokimit për të drejtat e tyre, konsideron që ngritja e kësaj aktakuze përbën hap të rëndësishëm në arritjen e drejtësisë për viktimat – të mbijetuar të dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë”.
Kjo qendër bën të ditur se që nga viti 2017 kanë punuar me viktimën, si në ofrimin e ndihmës psiko-sociale, gjithashtu edhe në përgatitjen sa më të mirë të këtij rasti. Ata falënderojnë Prokurorinë Speciale dhe Policinë e Kosovës për siç kanë thënë ata bashkëpunimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë përgatitjes së kësaj aktakuze si në fazën e intervistimit, gjithashtu edhe në hapat e tjerë të rëndësishëm për mbrojtjen e identitetit dhe të dhënave të tjera konfidenciale të viktimës.
“Shpresojmë që ky hap i rëndësishëm për drejtësinë, do të pasohet me veprime tjera më dinamike, me qëllim të arritjes së drejtësisë për këtë kategori të ndjeshme shoqërore. Njëkohësisht besojmë që një veprim i tillë, do të shërbejë si shembull inkurajues për të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë, që sa më shumë të ngrisin zërin për krimet që kanë përjetuar, sepse vetëm përmes dokumentimit, krimi jo vetëm që nuk mund të mohohet por edhe do të ndëshkohet”.
“Gjithashtu, u bëjmë thirrjeve të gjithë aktorëve relevantë, që kjo aktakuzë e ngritur të shërbejë si një motiv shtesë për të gjithë ne që angazhohemi në avancimin e të drejtave të të mbijetuarve të dhunës seksuale”, thuhet në reagimin e QKRMT-së.