Lajmet e fundit

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Pal Lekaj, ka thënë se opozita nuk ndien përgjegjësi nëse për shkak të mosmiratimit të demarkacionit me Malin e Zi ndodh shtyrja e liberalizmit të vizave.
Sipas tij, se për këtë proces përgjegjësia bie mbi Qeverinë e Kosovës, e cila ka dështuar të ndërtojë një konsensus politik për këtë çështje.
Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, nënkryetari i AAK-së ka vlerësuar se ky subjekt politik do të ndiente përgjegjësi nëse do ta përkrahte cungimin e territorit të Kosovës.
“Ne do të kishim përgjegjësi nëse e përkrahim një marrëveshje e cila nuk është në interes të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës"
"Besoj se në këtë rast, përgjegjësia bie mbi Qeverinë, e cila i ka dy të tretat e votave. E di se ata do të përpiqen t’u hedhin hi syve të qytetarëve, duke thënë se:
‘Ja që veprimet e opozitës e shtynë liberalizimin e vizave’. Por, kjo nuk është reale. Ne nuk marrim përgjegjësi për këtë. Përgjegjësia do të binte mbi ne nëse do ta cungonim territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Lekaj.
Ai ka vlerësuar se askush nuk e ka detyruar Qeverinë e Kosovës të bëjë marrëveshje të dëmshme me Malin e Zi. Sipas Lekajt, ekzekutivi është dashur të kërkojë një konsensus politik për këtë çështje.
Nënkryetari i AAK-së ka treguar se liberalizimi i vizave nuk varet vetëm prej ratifikimit të kësaj marrëveshje. “Qeveria po mundohet të tregojë se për liberalizim të vizave gjithçka varet prej demarkacionit, që nuk është e vërtetë. Si kusht për këtë çështje është edhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe sundimi i ligjit, që janë primare për këtë vend. Derisa nuk luftohet në thelb krimi dhe korrupsioni, vështirë se do të kemi liberalizim të vizave”, ka shtuar ai, transmeton Klan Kosova