Lajmet e fundit

Qeveria e Kosovës me anë të një kumtese për media ka njoftuar se sot është shuar e ashtuquajtura “Mbrojtje civile” në pajtim me Marrëveshjen e Brukselit për këtë çështje të datës 26 mars të vitit 2015.
Sipas ekzekutivit, gjithsej 483, ish-pjesëtarë të kësaj strukture janë integruar në institucione qendrore të shtetit të Kosovës, në bazë të ligjit për shërbimin civil, pas një procesi të rekrutimit ligjor.
Me këtë rast ministrja e Dialogut, Edita Tahiri, ka deklaruar se shuarja e të ashtuquajturës “Mbrojtje civile” e cila ka ndodhur sot, shënon një hap shumë të rëndësishëm në shtrirjen e sovranitetit shtetëror në pjesën veriore të vendit, e cila u mundësua duke iu falënderuar Dialogut të Brukselit dhe Marrëveshjes për shuarjen e mbrojtjes civile.
" Sot janë integruar 378 ish- pjesëtarë të mbrojtjes civile në institucionet qendrore të Kosovës duke e kompletuar numrin prej 483 personave të integruar, duke qenë se më herët ishin integruar 105 persona. Integrimi i këtyre personave në sistemin e Kosovës, të cilët nënshkruan kontratat e punës me institucionet e Kosovës, është një zhvillim i rëndësishëm në kuadër të objektivave të Qeverisë së Kosovës për konsolidimin e sovranitetit dhe normalizimit të gjendjes në pjesën veriore të vendit dhe integrimin e serbëve të kësaj pjese jetën publike dhe shoqërore".
"Ne, si Qeveri e Kosovës, konsiderojmë që progresi në shtrirjen e sovranitetit në pjesën veriore të vendit është i një rëndësie strategjike, duke marrë parasysh se që nga fundi i luftës jemi ballafaquar me këtë sfidë dhe të cilën ne si Qeveri po e zgjidhim në mënyrë sistematike dhe hap pas hapi. Dialogu i Brukselit po tregohet një instrument i rëndësishëm që po ndihmon Kosovën për forcimin e sovranitetit shtetëror në çdo cep të vendit, ku roli i BE-së, SHBA-ve, Gjermanisë është vendimtar, theksoi Tahiri.
Kjo e fundit poashtu bëri me dije se Ministria për Dialog kishte bërë të gjitha përgatitjet dhe koordinimet e nevojshme me të gjitha institucionet qendrore si dhe me BE-në, e cila rezultoi me sukses dhe ceremonia e nënshkrimit të kontratave të përfundoi me dinamikat e parapara.
Në bazë të vendimit të Qeverisë , 378 personat që nënshkruan sot kontratat e punës me institucionet e Kosovës do të jenë të përfshirë në listën e pagave të buxhetit të Kosovës që nga 1 janari 2016, ka thekuar ministrja për Dialog, transmeton Klan Kosova.