Lajmet e fundit

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, ka pritur drejtuesit e Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, të cilët i ka informuar për caktimin e shumës së pensioneve, e cila do të propozohet për aprovim të premten në kabinetin qeveritar.
Në takim ishin të pranishëm edhe ministri i Financave, Avdullah Hoti dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi.
“Ne me buxhetin për këtë vit e kemi shtuar fondin e pensioneve sidomos për pensionistët kontributdhënës. Kemi zhvilluar biseda deri më tani, qoftë përmes Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, qoftë përmes Ministrisë së Financave, me përfaqësues të pensionistëve. Kemi arritur në një marrëveshje për caktimin e shumës së pensioneve, të cilën nesër do ta propozojmë që ta aprovojmë në Qeverinë e Republikës së Kosovës”, tha kryeministri.
Shefi i Qeverisë poashtu, tha se orientimi është që pensioni bazë, pensioni më i ulët të jetë 158 euro, pensioni për ata që kanë punuar me shkolla të mesme dhe që kanë vërtetuar këtë të jetë 172 euro, pensioni për të gjithë ata që e kanë pas shkollimin e lartë të jetë 186 euro dhe pensioni për ata që kanë pasur arsimimin superior, përkatësisht diplomat e fakultetit, të jetë 230 euro. Kjo është një rritje evidente. Mesatarisht ne kemi shtuar rreth 33 për qind, mirëpo shtimet dallojnë varësisht nga struktura kualifikuese e pensionistëve. Ne kemi përcaktuar në Qeveri edhe kriteret në bazë të të cilave pensionistët do të dëshmonin kualifikimet për të cilat caktohet shuma e pensioneve”, bëri të ditur ai, transmeton Klan Kosova.