Lajmet e fundit

Qeveria e Kosovës ka përshëndetur miratimin e sotëm në Kuvend të Ligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike.
Ekzekutivi e konsideron këtë vendim shumë të rëndësishëm për shtetin dhe qytetarët e Kosovës, i cili i hap rrugën proceseve të mëtejshme integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian.
"Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, vendos bazamentin e marrëdhënieve kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe BE-së, që përbën një mundësi shumë të mirë për ndërmarrjen e reformave për fuqizimin shtetit ligjor, krijimin e kushteve për zhvillim ekonomik, thellimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar me vendet e BE-së, dhe përafrim të gjithanshëm të Kosovës me vlerat dhe standardet evropiane" thuhet në një kumtesë për media të ekzekutivit kosovar.
Qeveria zotohet se do të punojë me përkushtim edhe më të madh për përmbushjen e të gjitha kritereve të parapara në këtë Marrëveshje, që të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian brenda një periudhe optimale, transmeton Klan Kosova.