Qeveria e Republikës së Kosovës në bazë të rregullores së punës së Qeverisë sot miratoi propozimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për krijimin e Task-Forcës, me qëllim të bashkërendimit të punëve për anëtarësimin apo aderimin e Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare të kulturës dhe të trashëgimisë.
“Ministri Kujtim Shala në ekspozenë e tij në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës u shpreh se MKRS-ja konsideron që pas rezultatit të jashtëzakonshëm të anëtarësimit të plotë të asociacioneve të sportit të Kosovës në asociacionet ndërkombëtare, i gjithë fokusi duhet të jetë te anëtarësimi dhe aderimi në organizata e konventa ndërkombëtare të kulturës, kështu që është e domosdoshme që të kemi një mekanizëm, i cili do të ndihmojë dhe do të bashkërendojë punët,” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës, njofton Klan Kosova.
Më tej Shala shtoi se qëllim primar i kësaj Task-force do të jetë anëtarësimi në organizata ndërkombëtare që kanë lidhje të ngushtë me UNESCO-n dhe organizatat e tjera të rëndësishme të kulturës dhe të trashëgimisë. Po ashtu, do të asistojë në procesin e aderimit në konventa dhe karta ndërkombëtare të kulturores, me qëllim lidhjen e Kosovës me institucione ndërkombëtare kulturore.
Në fund të fjalës së tij në Shala u shpreh se çdo anëtarësim do të jetë i dobishëm për komunitetin dhe institucionet e kulturës së vendit, si dhe do të ndihmojë në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës ës Kosovës.
Task-Forca do të përbëhet nga përfaqësuesi i:
a. Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit - kryesues;
b. Presidencës;
c. Kryeministrisë;
d. Komisionit për punë të jashtme të Parlamentit të Republikës të Kosovës;
e. Ministrisë të Punëve të Jashtme;
f. Ministrisë së Integrimeve;
g. Ekspertë sipas nevojës;
h. Përfaqësues të shoqërisë civile.
Task-Forca, në radhë të parë, do të ketë në fokus në anëtarësimet/aderimet në këto organizata: Qendra Ndërkombëtare për Studimin e Ruajtjes dhe të Restaurimit të Pasurisë Kulturore (ICCROM); Këshilli Ndërkombëtar i Monumenteve dhe Lokaliteteve (ICOMOS); Konventa mbi Mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore Kulturore dhe Natyrore (UNESCO 1972); Karta Ndërkombëtare mbi Ruajtjen dhe Restaurimin e Monumenteve dhe Lokaliteteve (Karta e Venedikut, 1964/ICOMOS); Konventa Evropiane për Mbrojtjen e Trashëgimisë Arkeologjike (Këshilli i Evropës 1992); Konventa Kulturore Evropiane (Këshilli i Evropës, 1954); Programet e BE-së etj.
●●●
AFSHKRIMI NGA
Arbër Fetahu
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.