Lajmet e fundit

Kosova do të prodhojë 500 megavat rrymë pas tre vjetësh, kryesisht me energji solare, kurse më 2031, edhe 800 megavat më shumë.
Të paktën, kështu synon qeveria, me strategjinë dekadëshe të energjisë, që synon rritjen e kapaciteteve të energjisë së ripërtërishme.
"Deri në vitin 2031 synojmë që së paku 35 për qind e konsumit të energjisë elektrike të gjenerohet nga burimet e ripërtërishme, ndërsa ndotjen nga termocentralet ta ulim për së paku 32 për qind", tha ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, njofton Klan Kosova.
Drafti 43 faqesh përmblidhet në katër qëllime e pesë objektiva, kryesisht në qëndrueshmëri të furnizimit e ruajtje të ambientit.
Qeveria ka në plan të ndërhyjë edhe në kapacitetet ekzistuese. Rizvanolli tregoi se do të rritet efiçienca në termocentralin "Kosova B", ndërsa do të rivitalizohet "Kosova A".
Në plan është edhe ndihma ndaj qytetarëve me asistencë sociale, për t'i përballuar faturat e energjisë, përmes skemave të mbështetjes dhe investimeve në ngrohje të ndërtesave.
Kurse parashihet edhe integrimi i tregut me Shqipërinë.
Jetësimi total i strategjisë për energjinë 2022-2031 pritet të kushtojë afër 743 milionë euro.