Lajmet e fundit

Deputeti i PDK-së Rashit Qalaj ka kritikuar deputetët e Vetëvendosjes se sot, në debatin parlamentar, minimizuan krizën e ekonomike në vend me rritjen e çmimeve, duke u lavdëruar me arrestimet e fundit të disa policëve.
Ndaj tij, ka reaguar ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se ish-drejtorit të policisë duhet t’i vijë keq për keqinterpretimet që, sipas saj, ai është duke i bërë.
“Sot pati shumë abuzime dhe referencë në fjalimin tim, me tendencë për t’u abstrahuar kinse nuk e përmenda se jemi në krizë. Në krizë jemi, e përmenda por gjithashtu në mes çka ju harruat ishin të gjitha veprimet dhe aksionet e qeverisë, që ju nuk i merrni parasysh”.
“Qalaj, si një ish-drejtor i policisë në Kosovë, do të duhej ta vlerësonte këtë aksion, si e para, dhe si e dyta, të keni mundësi të bëni lidhshmërinë midis kontrabandës, korrupsionit, për të cilin dyshohen mbi 50, dy shefa të pikave doganore dhe zhvillimeve ekonomike për brenda. Përderisa gjithashtu deklaroni çka kërkojnë policët në depot e kompanive ushqimore”, është shprehur Kusari-Lila, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, ajo tha se në momentin kur gjinden 100 mijë litra vaj pa dokumente të origjinës, aty duhet të shkojë Policia e Kosovës, sepse, sipas saj, është procedurë penale.
Deputeti Qalaj iu kundërpërgjigj Mimoza Kusari-Lilës, duke i thënë se qeveria nuk ka asnjë meritë për arrestimin e policëve të dyshuar për korrupsion.
Meritë për këtë, ai tha se kanë inspektorati policor dhe prokuroria, si dy institucione të pavarura.
“Nuk e keni kuptuar reagimin tim në lidhje me arrestimin e policëve, unë vetëm thash që çfarë roli ka qeveria në arrestimin e atyre policëve dhe e përgëzova Inspektoratin Policor, Prokurorinë e Shtetit, por asnjë meritë nuk e ka kjo qeveri për atë punë”.
Është punë e organeve të pavarura të hetuesisë, në këtë rast e inspektoratit dhe prokurorisë. Dhe e dyta kurrë nuk është punë e krimeve ekonomike për të shkuar për të kërkuar mallra nëpër depo, është punë e inspektoratit, ATK-së, doganës, por jo e krimeve ekonomike.”
“Më tregoni cili nen ose ligj e detyron policinë e krimeve ekonomike për mallra, të cilat janë detyrë e inspeksioneve, e kurrë e policisë. Policia mund të shkojë në mbështetje, por jo policia të shkojë të konfiskojë”, tha Qalaj.