Lajmet e fundit

Agjencia Pyjore e Kosovës, edhe në vjeshtën e këtij viti ka filluar realizimin e projektit të përvitshëm për pyllëzimin e sipërfaqeve të zhveshura.
Në kuadër të këtij projekti, i cili edhe sivjet është duke u financuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, gjegjësisht Agjencia Pyjore e Kosovës, do të pyllëzohet një sipërfaqe prej 300 hektarë.
Krahas kësaj, institucionet shtetërore angazhimin e tyre përmes projekteve të ndryshme për pyllëzimin e sipërfaqeve dhe ruajtjen e tyre do ta vazhdojnë çdo vit.
Kështu është thënë sot, në pyllëzimin e sipërfaqeve në fshatin Llashticë të komunës së Gjilanit, ku për të parë nga afër punimet në realizimin e këtij projekti kanë marrë pjesë Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, zëvendësministri i MBPZHR-së, Mevludin Krasniqi, Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë, Kapllan Halimi, si dhe Kryeshefi Ekzekutiv i APK-së, Ahmet Zejnullahu.
Me këtë rast, Veseli, ka thënë se nevoja për një ambient të pastër dhe të pyllëzuar është e domosdoshme. “Kosova ka nevojë për ambient më të pastër. Kosova në raport me vendet e BE-së ka një situatë të mirë me pyjet. Po ashtu hedhja e mbeturinave është e papranueshme, le të mundohen ta hedhin madje jo gjithkund, mos të shkatërrohet ambienti. Ta ruajmë jetën tonë. Është kulturë e vendit tonë. Mbi 50 për qind duhet të arrijmë pyllëzim”, ka thënë ai.
Ndërkaq, zëvendësministri Mevludin Krasniqi, ka thënë se ministria do të përkushtohet përmes investimeve të saj në ruajtjen e ambientit pyjor, si dhe në rritjen e sipërfaqeve të pyllëzuara nga viti në vit.
“Me qëllim të përmirësimit kualitativ të pyjeve, këtë vit po pyllëzohen mbi 300 hektarë në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Krasniqi.