Lajmet e fundit

Punëtorët e Postës së Kosovës do të protestojnë të mërkurën me 27 prill nga ora 11:30 para Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, kështu njoftohet më anë të një komunikate nga punëtorët e kësaj ndërmarrje.
“Protestat nuk do të ndalën deri në realizimin e kërkesa tona. Siç e dini, para një viti, Posta e Kosovës dhe MPMS janë pajtuar që të nënshkruajnë Marrëveshje me të cilën Posta merr përsipër shpërndarjen e Skemave Sociale (ndihmave sociale) në rreth 160 zyra postare, anekënd territorit të Kosovës. Mirëpo, kjo Ministri ka bërë diskriminimin dhe shkeljet më të mëdha ligjore ndaj Postës së Kosovës. Pas muaj të tërë të negociatave mes Postës dhe MPMS-së kjo Ministri ka ftuar Menaxhmentin e Postës së Kosovës që më datën 29 maj 2015 (para një viti), në ora 13:00, të nënshkruhet Marrëveshja me të cilën shpërndarja e Skemave Sociale kalon nga bankat private në Postën e Kosovës. Të njëjtën ditë, rreth orës 13:00, MPMS ka anuluar ceremoninë për nënshkrimin e Marrëveshjes dhe që nga ajo ditë nuk ka dhënë asnjëherë sqarim zyrtar se përse nuk nënshkruhet Marrëveshja që e kemi përgatitur së bashku,” thuhet në komunikatë, njofton Klan Kosova.
Sindikata e Postës tregon se sa do të kursente Qeveria nëse nënshkruhet marrëveshja për shpërndarjen e skemave sociale nga bankat private tek Posta e Kosovës.
“Sindikata e Postës si dhe Menaxhmenti kanë kontaktuar me dhjetëra herë MPMS-në , me shkrim si dhe përmes thirrjeve publike në media që të takohemi për nënshkrimin e Marrëveshjes por nuk kemi asnjëherë përgjigje. Nëse ndihmat sociale shpërndahen përmes Postës e jo nga bankat private kjo do të ishte në favor dhe e dobishme për Ministrinë, Qeverinë dhe përfituesit e ndihmave sociale. MPMS dhe Qeveria e Kosovës do të kursenin mbi 300 mijë euro në vit ndërkaq përfituesit e ndihmave sociale nuk do të shpenzonin për udhëtim deri në bankat private dhe nuk do të maltretoheshin duke pritur disa ditë me radhë. Ne, punëtorët e Postës së Kosovës kemi edhe kërkesa tjera të ligjshme për Qeverinë e Kosovës të cilat do t’i shpalosim nesër në protestën tonë,” përfundon reagimi i Postës, njofton Klan Kosova.