Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se rinia kosovar që jeton në diasporë është e një rëndësie të veçantë dhe prioritet i qeveris që ai udhëheqë, transmeton Klan Kosova.
Mustafa i cili mori pjesë në Forumin për krijimin e Unionit të Studentëve dhe të Rinjve të Diasporës, të organizuar nga Ministria e Diasporës, premtoi se ai do të bëjë çdo gjë që është brenda kapaciteteve të tij për të dhënë mbështetjen dhe përkrahjen e nevojshme.
“Unë e përshëndes këtë iniciativë të themelimit të rrjetit të rinisë, sepse kjo është një formë e organizimit e cila krijon ndërlidhje të të rinjve që jetojnë jashtë”.
“Mendoj se është një prezencë shumë e rëndësishme për ne, sepse janë njerëzit tanë që jetojnë në vendet perëndimore, dhe për të cilët kemi shumë nevojë që të kujdesemi, të punojmë bashkërisht dhe që pastaj të arrijmë rezultate të përbashkëta”.
“Është një potencial shumë i rëndësishëm për ne, edhe një potencial i njohurive të reja, i teknologjive të reja, i diturive të reja, i shkollimit të të rinjve për të cilën ne kemi nevojë ose ta tërheqim ose të punojmë me juve bashkë”.
“Zhvillimi i këtij vendi më nuk mund të bëhet i mbyllur vetëm në kufijtë e Kosovës”, deklaroi Mustafa, njofton zyra për komunikim me publikun e kryeministrisë.
Në këtë forum ishin edhe ministri i Diasporës i Kosovës, Valon Murati, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i Shqipërisë, Blendi Klosi, zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Anila Statovci–Demaj, zëvendësministri i Diasporës, Sahit Krasniqi dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë.
klankosova.tv