Lajmet e fundit

Ministri i Integrimit Europian Bekim Çollaku, ka thënë se vendimi i bordit Ekzekutiv të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Arsim Shkencë dhe Kulturë - UNESCO, për ta vendosur Kosovën në agjendë për pranimin e saj në këtë agjenci, është rezultat i punës së madhe të Kosovës.
“Lajmi i shumëpritur nga Bordi Ekzekutiv i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO-s)për vënien e Kosovës në agjendë për votimin përfundimtar për anëtarësim në këtë organizatë është një lajm fantastik. Puna e madhe nga institucionet por edhe mbështetja e madhe qytetarët nga të gjitha sferat e jetës në Kosovë dhe nga miqtë e Kosovës jashtë e mori një shpërblim meritor”, ka shkruar Çollaku në profilin e tij në Facebook.
Ai paralajmëron se kjo nuk është punë e kryer dhe se ka ende hapa drejt finalizimit të anëtarësimit, mirëpo sipas tij vendimi i sotëm shërben si motiv për të vazhduar më tutje drejt këtij procesi.
“Kjo nuk do të thotë se gjithçka është punë e kryer, por qartë një inkurajim i madh për të vazhduar këtë mision tonin për afirmimin ndërkombëtar të vendit edhe me më shumë zell. Është një fitore për arsimin, shkencën, dhe për mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore. Një duartrokitje e veçantë shkon drejt diplomacisë sonë që po tregon sukses dhe përsosje në kryerjen e detyrës së vetë të shenjtë për vendin tonë”.