Lajmet e fundit

Kosovo 2.0 sot e ka lansuar monografinë për edukim “Edukimi për jetë”.
Pas publikimit të kësaj monografie, aktualisht në Prishtinë po mbahet një diskutim ku po marrin pjesë ekspertë dhe njohës të arsimit, mësimdhënës, studentë, nxënës dhe prindër.
Koordinatorja e projekteve në Kosovo 2.0, Gresa Smolica, ka treguar në Info Magazine të Klan Kosovës se cili ka qenë qëllimi i kësaj monografie.
“Të gjithë janë mbledhur që të diskutojnë sot për arsimin në Kosovë edhe qysh po edukojmë për jetë. Kjo ka qenë tema dhe qëllimi i monografisë e cila është lansuar pak minuta para diskutimit”.
“Ideja ka qenë që të diskutojmë se çfarë po bëjmë me arsimin në Kosovë, a po edukojmë vetëm për të pasë rezultate të mira dhe për të arritur që nxënësit të kenë disa nota të mira apo edhe të përfitojnë një edukim që do t’ju shërbejë për jetë dhe në të njëjtën kohë do t’ju ndihmojë për karrierat dhe profesionet që do t’i zgjedhin”.
“Temat që do t’i diskutojmë përmes monografisë janë të shumta, por që të gjitha lidhen direkt me arsimin dhe edukimin në Kosovë. Do të diskutojmë për shkollat profesionale dhe sa po ndikojnë ato në zhvillimin e arsimit në Kosovë si dhe do të diskutojmë për arsimin fillor dhe çfarë kualiteti po marrin nxënësit prej hapave të parë”.
“Do të diskutojmë për universitetet dhe çfarë po ju ofrohet studentëve përpos asaj që e tregojnë profesorët brenda një ligjërate – a po mund të marrin ata diçka më shumë apo mbesin vetëm brenda kutikulave”.
“Do të flasim edhe për disa tema negative që e kanë karakterizuar Universitetin siç janë ngacmimet seksuale. Gjithashtu, do të flasim edhe për personat të cilët kanë studiuar jashtë Kosovës dhe se si ka ndikuar kjo tek ata kur janë kthyer dhe janë ballafaquar me sistemin e arsimit në Kosovë”.
Por, kur do të mund ta kenë lexuesit në dorë këtë monografi?
“Çfarë e dallon këtë monografi prej artikujve ose prodhimeve të tjera është që kjo është një lloj i revistës online”.
“Kjo publikohet në uebfaqen e Kosovo 2.0 dhe aty mund të qasen të gjithë personat. Kjo për shkak se kjo monografi nuk përmban vetëm artikuj, por edhe ese fotografike dhe episode të Podcast që janë prodhime audio”.