Nuk keni pse kërkoni gjatë për shefa të tmerrshëm. I gjeni kudo, madje janë një ndër temat e preferuara të internetit. Suksesi masiv i “The Office” varet sadopak nga Michael Scott, shefi që përfaqëson shefat e shumëkujt. Ai është i sikletosur, i paaftë, dembel dhe qesharak. Por, ngaqë është njeri i mirë, Michael Scott zë vendin e fundit në listën e shefave të keq. Andej nga kreu duhet të jetë Miranda Pristley në “The Devil Wears Prada”: e ftohtë, pa skrupuj dhe s’kënaqet me asgjë.
Por pse janë ca shefa kaq të tmerrshëm? Le të hamendësojmë se çdo shef, ka qenë në një pikë të jetës nëpunësi i dikujt: A nuk supozohet të jetë më i mirë çdo brez i ri shefash? Nëse e dimë ç’po bëjnë gabim shefat tanë, a nuk supozohet t’i shmangim kur të jemi vetë në krye? Mos vallë është e pamundur që një nëpunës të kënaqet nga shefi i vet?
Sipas Robert Sutton, pedagog i menaxhimit në Stanford University Schoool of Engineering thotë se shumica e njerëzve që konsiderohen shefa të këqinj kanë marrë pozita drejtuese për arsyet e gabuara: sepse u pëlqen të përdorin fuqinë që kanë mbi të tjerët dhe u pëlqejnë lëvdatat. “Këto janë bazat e narcisizmit dhe egoizmit, që për mua janë tipare identifikuese të një shefi të keq,” thotë Sutton.
Gjithashtu, në një punë kërkimore mbi bullizmin në zyra, Alan Cavaiola, psikolog klinik dhe pedagog i psikologjisë në Hofstra University, zbuloi se shefat e tmerrshëm kanë në shumicën e rasteve personalitetet narcisizte dhe personalitete obsesive-komplusive. “Narcistët s’e kanë problem ta prezantojnë punën e tjetrit si tyren,” thotë Cavaiola. “S’e kanë problem të të bëjnë kokë turku kur diçka nuk shkon si duhet. Shefat me personalitete obsesive-kompulsive nga ana tjetër kanë prirje të mikromenaxhojnë. “S’do t’u pëlqejë asgjë nga dora e tjetrit,” shpjegon Cavaiola. Sigurisht, nga ana tjetër e spektrit janë shefat që të lënë tërësisht të lirë, të bësh çfarë të duash dhe mesa duket, as këta nuk janë shefa të mirë.
Një tjetër problem që hasin punonjësit e të sotmes janë shefat e paaftë. Në Amerikë, ky problem buron nga njëzetë e diçka vjeçarët që patën një ide gjeniale, e financuan me miliona dollarë dhe tani janë shefi i një biznesi masiv, me qindra njerëz nën vete që s’dinë t’i menaxhojnë. Në Shqipëri, hamendësojmë, shefat e paaftë lindin nga korrupsioni që i vendos në pozita pushteti që s’i kanë merituar.
“Shumë shefa e marrin për të mirëqenë modelin e vjetër e të qenit drejtues,” thotë Amy Edmondson, pedagoge e udhëheqjes dhe menaxhimit në Harvard Business School. “Jem mësuar të ulemi, të dëgjojmë, të mos bëjmë zhurmë, të shkruajmë çfarë tha mësuesi dhe ta përsërisim. Ky model nuk nxjerr as punonjës, as shefa të zotë ditët e sotme.” Në ekonominë e tanishme, një punë e bërë mirë ka nevojë për bashkëpunim dhe zgjuarsi, në vend të urdhrave dhe kontrollit. Një shef nuk ka më për detyrë t’u thotë punonjësve çfarë të bëjnë, por të krijojë mjedisin ku këta punonjës mund të bëjnë më të mirën e tyre.
Edmondson i quan këto hapësira pune “të sigurta psikologjikisht,” sepse punonjësit mund të flasin haptazi për shqetësimet profesionale, mund të ngrenë pyetje dhe të kritikojnë pa pasur frikë nga pasojat. Shumica e njerëzve nuk e kanë këtë liri në punë dhe u takon menaxherëve ta krijojnë.
Ç’e bën një shef të mirë? E para është vetëdija: t’ia kenë idenë si është të punosh për ta, të dish pikat e forta dhe pikat e dobëta dhe të jesh më i ndjeshëm ndaj nevojave të punonjësve./anabel
●●●
EVSHKRIMI NGA
E V
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lifestyle dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.