Lajmet e fundit

Lulzim Basha ia hodhi edhe kësaj here. Me një bilanc katastrofik të betejave elektorale, ku disfata e fundit arrin, në mënyrë të pabesueshme, ta thyejë rekordin e kaluar, ai gjeti prapë ca fije bari për t’u kapur. Ato që ia zgjat Berisha.
Pas 3 ditësh heshtje, u kuptua se lideri historik i PD-së nuk ka ndërmend të nxisë asnjë rebelim brenda partisë.
Duke ia pranuar ngrirjen, pa i përmendur dorëheqjen, Berisha i fali “gjëmën” që i bëri Basha PD-së, në 25 Qershor.
Me të njëjtën ndjenjë të pakushtëzuar dashurie që detyron çdo prind ta falë fëmijën e tij, Berisha e mbajti nën kontroll shpërthimin brenda vetes për humbjen poshtëruese përballë Ramës dhe është gati ta këshillojë sërisht, ta mbrojë dhe ta mbajë ngrohtë pasardhësin e tij ende të parritur, deri sa t’ia shkrijë akujt e humbjes.
Jo vetëm kaq, Berisha mbajti anë sot kundër rebelëve, kur ngriti sipër kokës së tyre dy fantazma që i quajti PERÇARJA dhe PERJASHTIMI. Dy mallkime, që i vijnë PD-së nga ata që ngrenë zërin për largimin e Bashës.
Zyra e kryetarit, e favorizon Bashën në zgjedhjet me një anëtar një votë. Eduart Selami është kandidatura, që shumëkush e krahason me Maqo Lakrorin, komardaren që përdori Edi Rama pas humbjes në 2009.
Gjatë kohës që zhvillohet fushata për votimet, është e qartë se nuk mund të ketë një analizë të forumeve për humbjen e PD-së. Gjetja e përgjegjësive do të mbetet një slogan dhe jo një reflektim real për atë që ndodhi.
Por a mund të fliste ndryshe lideri historik i PD-së? A mund ta pranonte Berisha një analizë reale, që mund ta rëndonte peshën e gabimeve të Bashës, si fajtorin e vetëm për humbjen e PD-së? Kjo nuk mund të ndodhë për shumë arsye.
Në radhë të parë, sepse Berisha është peng i zgjedhjes së vet, për ta emëruar Lulzim Bashën pasardhësin e tij. Për 12 vjet ka investuar kohë dhe pushtet, i bindur për besnikërinë e padiskutuar të të përzgjedhurit të tij. Dhe Basha nuk e ka zhgënjyer në asnjë rast.
Mund të ketë zhgënjyer demokratët me rezultatet humbëse, por jo Berishën, të cilin as nuk e imagjinon ta shpërfillë.
Gjetja e një lideri të ri në PD më të përshtatshëm se Basha, për Berishën është e pamundur. Sot, ai nuk ka më ministritë apo bashkinë, për t’ia dhuruar një pasardhësi hipotetik, që ky t’i ndjehet përgjithnjë mirënjohës.
Berisha nuk ka më kohën e duhur për ta rritur njësoj të bindur një pasardhës tjetër, si Basha.
Për këtë arsye, do të vazhdojë t’ia imponojë PD-së zgjedhjen e tij të pare dhe të vetme, pavarësisht dështimeve katastrofike të 45 vjeçarit të ngrirë, për të cilin ka investuar gjithçka që nga viti 2005.
Qoftë edhe me koston e sakrifikimit të bashkëpunëtorëve më të afërt, që duke luftuar Bashën, luftojnë zgjedhjen e Berishës.
Nga ana tjetër, Basha nuk është më rioshi me buzëqeshjen e stampuar 24 orë në fytyrë, që miraton çdo porosi. Sot ai kontrollon shumicën e deputetëve të PD-së. Në celularin e tij ka regjistruar numrin e Edi Ramës, që e pret krahëhapur, për çdo shmangie nga rruga e demokratëve.
(Lapsi.al)