Lajmet e fundit

Partia Socialdemokrate kërkon që të lirohet aktivisti i tyre, Adem Megjuani, për të cilin thonë është ndaluar për 48 orë në polici, pas kërkesës së prokurorit.
Në njoftimin e PSD-së, thuhet se në orën 9:00, aktivisti Adem Megjuani i është përgjigjur thirrjes së policisë për intervistim lidhur me incidentin që ndodhi në protestën kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.
"Të njëjtit prokurori i rastit i ka shqiptuar masën e ndalimit prej 48 orëve. Kjo masë nuk i përmbush asnjërën prej kushteve të parapara me Kodin e Procedurës Penale për shqiptimin e saj. Mënyra se si ka vepruar prokurori i rastit përbën abuzim të pushtetit të tij e shkelje të të drejtave të aktivistit tonë. Joproporcionaliteti i veprimeve të prokurorisë është proporcional vetëm me nevojën e pushtetit për të disiplinuar veprimet opozitare të PSD-së".
"Partisë-shtet i ka penguar pjesëmarrja masive e njerëzve në protestë. Menjëherë nisën me gjueti shtrigash. Sot kanë vazhduar me arrestime. Propaganda policore që kishte për qëllim ta kriminalizoj një protestë paqësore, po përkthehet me përndjekje. Të lirohet menjëherë aktivisti Adem Megjuani!", thuhet në njoftim.