Partia Social Demokrate ka reaguar për rastin e humbjes së jetës së të riut 20-vjeçar, Krenar Jemini, nga Mushtishti i Suharekës në vendin e tij të punës.
Zhvillimet rreth rastit PSD i quan tragjike:
"Zhvillimet rreth vdekjes tragjike të një punëtori në kompaninë e naftës “Lab-Oil” janë skandaloze. Përderisa Krenar Jemini humbi jetën në vendin e punës, Inspektoratit të Punës nuk iu lejua qasja e menjëhershme në vendin e ngjarjes nga ana e kompanisë".
Sipas Social Demokratëve:
"Kjo edhe një herë dëshmon se shteti në Kosovë nuk i mbron të dobëtit. Prandaj edhe i ka lënë vetëm dhjetëra inspektorë të punës në mbarë vendin. Ai nuk është as arbitri që e sheh publiken në ndonjë sintezë përmbi palët në konflikt. Është në funksion të kapitalit tregtar dhe financiar".
Ndër të tjera në reagimi e Partisë Social Demokrate të Kosovës:
"Kryeinspektori Basri Ibrahimi u la i vetëm. Nuk e pati me vete forcën e ligjit. Ligjësia e sundimit të ligjit u vërtetua edhe kësaj here: ai funksionon vetëm për të pasurit. Formulimet ligjore që krijojnë iluzionin e barazisë “të gjithë”ose “pavarësisht nga”, se ligji qenka i njejtë për të gjithë, mund të jenë të vërteta vetëm nëse do të ishim të gjithë milionerë. Prandaj, përvoja jonë me të është ajo e mosfunksionimit të vazhdueshëm. Në fakt, s’ka qenë e menduar ndryshe", njofton Partia Social Demokrate e Kosovës përcjellë Klan Kosova.
Kjo parti thekson se
" nuk do të ndalen duke përsëritur se tek arroganca e kompanisë në fjalë e shohim mungesën e organizimit sindikal. Partia Socialdemokrate i shpreh ngushëllime e solidaritet familjarëve dhe miqve të të ndjerit. Ftojmë organet përgjegjëse që t’i hetojnë hollësisht shkaqet e vdekjes së punëtorit dhe t’i dënojnë përgjegjësit eventualë".