Lajmet e fundit

Objekt të shovinizmit po e konsiderojnë vendin ku një ditë më parë serbët bënë rite fetare dhe e quajtën ‘Shtëpi të Zotit’.
E si të tillë aktivistët e Partisë Socialdemokrate edhe e emëruan Kishën Ortodokse përmes mbishkrimit “Simboli i shovinizmit bëhet faltore. E bekoi Albin Kurti”.
Por, paraprakisht ata larguan një shkrim tjetër që dikush e kishte vënë.
Me të përfunduar socialdemokratët aksionin e tyre në protestë para kishës dolën edhe studentët.
Me pankarta në duar, siç thanë ata, dolën të reagojnë kundër aktivitetit fetar të mbajtur të enjten në objektin e ndërtuar në hapësirën që Universiteti i Prishtinës me gjyq po e mbron si të veten.
Për liturgjinë ka reaguar edhe Universiteti i Prishtinës, ani se një ditë më parë ata thanë nuk e komentuan zhvillimin në kishë duke e lënë kompetente komunën për pronën.
Nëpërmjet një komunikate për media ky institucion tha se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për lirimin e Kampusit Universitar nga të gjitha objektet e ndërtuara pa leje, ku përfshihet edhe objekti në të cilin është organizuar ceremonia e së enjtes.
Universiteti ndër të tjera ka ritheksuar se Kampusi Universitar është i dedikuar vetëm për studentët dhe për aktivitete akademike, derisa ka dënuar çdo sjellje e cila paraqet provokim për studentët, stafin dhe qytetarët e vendit.