Lajmet e fundit
Leja që kryetari aktual i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka firmosur për ndërtimin e një kati shtesë në pallatin ku ai banon, u bë objekt debati mes mazhorancës dhe opozitës. Të majtët vijojnë ta akuzojnë Bashën se firmosi një leje ndërtimi për veten e vet, në kohën kur në Tiranë ishin pezulluar lejet e ndërtimit.

Ndërsa opozita nga ana tjetër e quan gjithçka të ligjshme, duke e cilësuar veprimin e Bashës krejt normal për një qytetar të thjesht të kryeqytetit, sikurse është edhe Lulzim Basha.
Kandidati i së majtës për bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, teksa prezantoi programin e tij për pastrimin e kryeqytetit, u ndal sërish tek denoncimi që bëri një ditë më parë për një shtesë të firmosur nga kryetari aktual i bashkisë, Lulzim Basha, mbi apartamentin në të cilin ai jeton. “Nga një kryetar bashkie, i cili ka ndërtuar katin e 13-të mbi katin e 12-të, në të cilin ai jeton, nuk ke se çfarë pret. Një kryetar bashkie, i cili punon vetëm për vete nuk na duhet. Nuk na duhen ata që punojnë vetëm për të shtuar katet apo klinikat private”, tha Veliaj.
Për ngjarjen në fjalë u shpreh edhe deputeti i Partisë Socialiste , Erion Braçe
“Lulzim Basha theu rekordin. Deri dje, Lulzim Basha ishte kryetari i Bashkisë, i vetmi që nuk punonte në bashkinë e tij, por në Holandë. Tani është ndryshe, Lulzim Basha është i vetmi kryetar i Bashkisë së Tiranës që, i jep leje ndërtimi vetes për kat shtesë në një pallat ekzistues, madje në kat të 13-të. Me gjeni një të dytë që e ka bërë këtë. Dhe shikoni, Lulzim Basha ka një apartament dupleks në atë pallat, tani do ta bëjë tripleks”. tha Braçe,transmeton Shekulli.al