Lajmet e fundit
Turmat e mbledhura të shtunën përpara hotelit të shënjestruar nga agresori në qytetin resort të Sousse-s kishin një qëllim të vetëm: të dënonin me të gjithë forcën e tyre sulmin në plazhin aty pranë, i cili i kushtoi jetën 38 personave, shumica turistë të huaj.

Prej andej, tubuesit marshuan nëpër qytet për t’i shprehur mbështetjen të afërmve të viktimave. 15 nga të vrarët në episodin e dhunës të marrë përsipër prej Shtetit Islamik, ishin nga Britania e Madhe.
Një tubim i ngjashëm u mbajt dhe në kryeqytetin e vendit, Tuniz.
Bilanci i vdekjeve e bën sulmin e së premtes më vdekjeprurësin prej vitesh të tëra në Tunizi. 22 vetë, shumica të huaj, u vranë në muajin mars nga militantët që mësynë muzeun e Bardosë në Tuniz.
Duket se këto goditje të përsëritura jo më kot kanë vënë në shënjestër të huajt. Ekonomia tuniziane mbështetet fort tek turizmi dhe sulmet e fundit me shumë gjasë do t’i japin një goditje të fuqishme kësaj industrie. Të paktën 1 000 pushues britanikë, sipas "The Guardian" u larguan prej Tunizisë të shtunën, transmeton Klan Kosova.
Deri tani, në mesin e viktimave rezulton të jetë dhe një turiste belge e një gjerman, por ndërsa procesi i identifikimit vazhdon, është e qartë se peshën më të madhe të sulmit brutal e kanë mbajtur britanikët. Foreign Office e përshkroi si aktin më të rëndë terrorist ndaj shtetasve britanikë që prej shpërthimeve të 7 korrikut 2005 në Londër, ku u vranë 56 vetë, përfshirë 4 agresorët.