Lajmet e fundit

Aleanca Kundër Importit të Plehrave (AKIP), e cila përbëhet nga shoqata dhe organizata jo qeveritare janë duke zhvilluar sot protestën e parë masive kundër importit të mbetjeve.
Tubimi ka nis në orën 11:00 dhe pritet të zgjasë disa orë. Drejtuesit e aleancës kanë dhënë dje detajet kryesore se si do të organizohet protesta.
Është planifikuar që protestuesit të mblidhen në orën 11:00, pranë Monumentit të Pavarësisë, në Parkun Rinia. Më pas, qytetarët do të marshojnë drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, përballë godinës së kryeministrisë. Këtu pritet që protesta të arrijë numrin maksimal të protestuesve. Mendohet se do të hidhen thasë me pleh mbi Kryeministri dhe kazanë plehrash tek hyrja e zyrës së Kryeministrit, shkruan Gazeta Shqip.
Policia merr masat për të siguruar mbarëvajtjen e protestës kundër importit të mbjetjeve të organizuar nga Aleanca Kundër Importit të Plehrave. Policia e kryeqytetit thotë në një njoftim se në total do të angazhojë në mbarëvajtjen e protestës rreth 500 policë.
Protestuesit do të vendosen përballë zyrës së Kryeministrit Edi Rama, ku do të hedhin parulla dhe do të mbajnë fjalime kundër importit të mbetjeve. Drejtuesit e Aleancës thonë se protestuesit do t’i kërkojnë llogari Ramës se përse i tradhtoi duke miratuar ligjin që kishte hequr vetë në vitin 2013. Burime nga drejtuesit e Aleancës thonë se nga thirrjet që janë bërë on-line janë rreth 5 mijë persona që kanë konfirmuar pjesëmarrjen në tubim.
Opozita ka deklaruar se do të jetë në mbështetje të protestuesve në këtë përballje, sipas kreut të PD-së Basha, jo për kauzë politike, por si detyrim qytetar.
Kryeministri Edi Rama pritet të mos jenë në zyrë gjatë protestës. Kjo pasi, Partia Socialiste ka njoftuar se në orën 11:00 do të mbledhë Asamblenë Kombëtare, i cili është forumi më i lartë vendimmarrës i partisë, pas Kongresit. Mbledhja e PS-së ku do të jetë i pranishëm Kryeministri, ministrat dhe deputetët socialistë do të zhvillohet në lokalin e njohur me emrin “Xibraku”, në periferi të kryeqytetit.
Pasditen e djeshme, ambasada amerikane në Tiranë u ka bërë thirrje qytetarëve të vet të shmangin vendin ku do të zhvillohet protesta për arsye sigurie. “Qytetarët amerikanë të mbeten vigjilentë” porosit Ambasada.
Ambasada thotë në njoftimin e saj se protestën e organizon opozita, por përmes një reagimi Aleanca Kundër Importit të Mbetjeve deklaroi se protesta organizohet nga ambientalistë dhe shoqëria civile dhe i kërkoi të korrigjojë njoftimin.