Lajmet e fundit

Një grup aktivistësh të shoqërisë civile kundërshtojnë projektet për ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Valbonë.
Të hënën, një grup nga Tirana do të protestojë në Bajram Curri në orën 12:00, kurse një grup tjetër, bashkë me figura të tjera publike, do të protestojë para Kryeministrisë.
Sipas aktivistëve, me këto projekte HEC-esh po vritet industria strategjike e zhvillimit të turizmit për këtë zonë, por edhe imazhi si vend tërheqës për turistët në nivel kombëtar. “Kjo industri, e cila prej vitesh është përballur me indiferencën e vetë pushteteve, duke i mangësuar asaj infrastrukturën për një zhvillim sa më të qëndrueshëm, tanimë po përballet me ekzekutimin e saj, shkruan shekulli. Qeveria e mëparshme i miratoi, ndërsa kjo tjetra po i zbaton verbërisht”, thuhet në një deklaratë të ambientalistëve.
“Nga ujëvara në bashkimin me Drinin, lumi i Valbonës përshkon 65 kilometra dhe përbën zemrën e zhvillimit të turizmit në këtë zonë. Më tërheqëse për turistët janë 20 kilometrat e para, por mesa duket nuk do të jetë kështu edhe për shumë gjatë, në qoftë se këtu ndërtohet qoftë edhe një hidrocentral i vetëm. Lugina e Valbonës ka statusin e Parkut Kombëtar prej vitit 1996 dhe pritet të shndërrohet në asetin më të rëndësishëm turistik në vend, si pjesë e një parku gjigant që do të bashkojë kurorën e Alpeve me Kosovën dhe Malin e Zi. Por përgjatë lumit që i jep emrin parkut do të ndërtohen dhjetë hidrocentrale. Më i madhi prej tyre është hidrocentrali i Dragobisë. Kompania ndërtuese pretendon se ka marrë miratimin e banorëve të zonës duke treguar një listë, por banorët thonë se lista është e manipuluar, madje në të ka emra të personave që kanë vdekur prej kohësh”, vijon deklarata.