Lajmet e fundit

Për gjendjen e rënduar në sistemin e drejtësisë dhe mossuksesit në luftimin efektiv të korrupsionit, fajtorë janë prokurorët dhe gjykatësit në Kosovë.
Pas lirimit të Ish-kryetarit të Gjykatës Komunale të Prishtinës Nuhi Ukës, nga akuza për krim të organizuar, Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Arton Demhasaj nga organizata Çohu, barrën kryesore në dështimin për t’i dënuar të korruptuarit po e veshin në prokurorë e gjykatës.
“Prokuroria nuk ka arritur t’ia dëshmojë gjykatës, ta bindë se ka prova ta dënojë Ukën. Faji kryesor është te prokurori, sepse po të kishte prezantuar ai prova para gjykatësit ai s’do të mund ta shpallte kaq lehtë të pafajshëm”, ka thënë Demhasaj, në emisionin Info Magazine në Klan Kosova.
Të njëjtën qasje sikurse Demhasaj, e ka edhe Musliu i cili u shpreh se gjykatësit e prokurorët, mbi të cilët është e veshur kompetenca për të hetuar, gjykuar e dënuar, janë të pavullnetshëm.
“Është jashtëzakonisht shqetësuese mënyra se si i janë qasur institucionet e drejtësisë luftës kundër korrupsionit. Nuk po mungojnë praktikat për t’i trajtuar rastet e korrupsionit me prioritet, por po mungon vullneti i gjykatësve dhe prokurorëve që t’iu përgjigjet këtyre rasteve me prioritet”.
Sipas Demhasajt, rasti i Nuhi Ukës e i shumë të tjerëve si ai, do të ndikojë keq edhe në vlerësimin që Bashkimi Europian do ta bëjë për Kosovën përmes Raportit të Progresit.
“Bashkimi Europian vazhdimisht ka kërkuar që të ketë hetime dhe gjykime për individë të përfshirë në vepra korruptive. Kur BE-ja sheh se të korruptuarit po lirohen me kusht, sigurisht që raporti i progresit do të jetë negativ”, është shprehur Hasandemaj.
“Rasti i Ukës, tregon se po ecim prapa lidhur me identifikimin dhe dënimin e rasteve të korrupsionit”.
Se raporti i progresit do të jetë negativ për Kosovën edhe këtë vit, e thotë edhe Betim Musliu i cili mendon se vërejtjet e BE-së për Kosovën, po ashpërsohen nga viti në vit.
“Raporti i Progresit, e adreson mungesën e rezultateve konkrete të luftës kundër korrupsionit. Ky raport pothuajse që çdo vit përsëritet. Kritikat për sistemin e drejtësisë janë të njëjta, përveç se në vitin 2015, ishin shumë më të ashpra dhe më kritike”, ka konsideruar ai.
Në anën tjetër, sipas Musliut një sistem i drejtësisë nuk mund të jetë funksional kur brendapërbrenda, punojnë njerëz të korruptuar dhe që në poste i kanë quar lidhjet politike.
“Nëse shohim aferën “Pronto”, e shohim edhe mënyrën se si janë zgjedhur prokurorët edhe gjyqtarët dhe ata i kemi në pozita në sistemin gjyqësor. Kemi njerëz që në formë korruptive kanë pranuar të jenë në atë pozitë, dhe prisni që ata t’i ndjekin penalisht të korruptuarit?Integriteti i gjyqtarëve dhe prokurorëve, po kontestohet. Ka edhe të tillë që bëjnë punë të mirë deri në vetëmohim, por pjesa dërrmuese janë të infiltruar në politikë”.
Kurse, Demhasaj mendon se kjo praktikë e lirimit me kusht dhe lirimit nga akuzat e të akuzuarve për afera korruptive, qon në precedentë dhe nuk e kryen funksionin të cilin e ka, parandalimin e rasteve të tilla.
“Një pjesë e madhe e lëndëve që ngriten dhe mbyllen në mungesë provash. Duhet parë se ku është problemi që prokurorët s’po munden të paraqesin prova të mjaftueshme për dënimin e të korruptuarve. Veprat penale korruptive, po dënohen me kusht. Kjo nuk po e luan rolin që ka, pra rolin e parandalimit”.
Ish-kryetari i Gjykatës Komunale të Prishtinës Nuhi Uka është liruar nga akuza për krim të organizuar. Nuhi Uka, kryetari i ish-Gjykatës Komunale në Prishtinë, të premten u shpall i pafajshëm nga Gjykata Themelore e Prizrenit, raporton Klan Kosova.
Ai u lirua nga akuza e parë, ndërsa akuzat tjera iu vjetruan.