Lajmet e fundit

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, do të përballet në Gjykatë me njërin nga kandidatët që u largua nga lista e Këshillit Shkencor për Shkencëtar të vitit.
Blerim Rexha, profesor në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës, ka paditur Ministrinë e Arsimit pasi pretendon se iu mor nga dora padrejtësisht titulli “Shkencëtar i vitit 2022”.
Në një intervistë për Kiks Kosovën, Rexha fillimisht kishte parashtruar ankesë pranë Ministrisë së Arsimit, ku kishte kërkuar nga ministrja e MASHTI-t Arbërie Nagavci që ta rishikojë edhe njëherë vendimin për shpalljen e shkencëtares së vitit.
Mirëpo, Ministria heshti ndaj kërkesës së profesorit.
Problemi këtë vit me shkencëtarin e vitit qëndron me faktin se Ministria e Arsimit shkeli edhe në konkursin që kishte shpallur në dhjetorin e vitit 2022, ku kishte thënë se do të përzgjedhte tre shkencëtarë të vitit dhe tre shkencëtarë të rinj.
Ndodhi plotësisht e kundërta. Ministria e Arsimit, pas gjashtë muajsh, konkretisht më 1 qershor të 2023-ës, shpalli vetëm një shkencëtar të vitit.
Tre muajsh rresht, Kiks Kosova kërkoi nga Ministria qasje në dokumentacionin e konkursit për “Shkencëtar të vitit 2022” dhe arsyet se pse këtë vit kishte vonesa, meqë titulli tradicionalisht ndahej në tremujorin e parë të vitit pasues.
Me 19 prill Kiks Kosova pasi mori sinjalizimet, nisi hulumtimin por MASHTI injoroi kërkesën për informacion rreth konkursit. Të ndodhur përballë kësaj situate, një muaj më vonë Kiksi ripërsërit kërkesën, por heshtja vazhdon.
Me 31 maj, një kërkesë e re nga emisioni iu drejtua Ministrisë, kësaj radhe specifikisht kërkuam qasje në dokumentet publike duke përfshirë listën e kandidatëve potencial dhe ecurinë e procesit të vonuar.
Por prapë nuk morëm përgjigjet e kërkuara, megjithëse komunikimi vazhdonte.
Ministria premtoi qasjen e cila na u dha në ditën kur ministrja Nagavci kishte nënshkruar vendimin për shpalljen e laureatës se vetme për këtë konkurs, Valbonë Mehmeti.
Njoftimi se Mehmeti ishte shkencëtarja e vitit 2022, u bë i ditur fillimisht në faqen e Facebook-ut të ministres Arbërie Nagavci, ku ndër të tjerash ajo theksonte se Valbonë Mehmeti është doktoreshë e shkencave të kimisë, autore e 14 publikimeve shkencore për vitin 2022 prej të cilave 4 si autore e parë.
Profesori në reagimin e tij të fundit publik ka thënë se ka arritur të mbledhë dëshmi që tregojnë se atij iu mor çmimi nga duart.
Profesor Rexha e cilëson vendim arbitrar dhe akt administrativ të kundërligjshëm të ministres së MASHT-it, Arbërie Nagavci.
Një shqetësim të tillë e ka ngritur edhe dekani i Fakultetit të Gazetarisë në Kolegjin AAB, Hasan Saliu.
Edhe Saliu është ankuar në Ministrinë e Arsimit për përzgjedhjen e këtij viti.