Mësimdhënësit në të gjitha shkollat e Kosovës sot kanë votuar nëse janë pro apo kundër propozimit të SBAShK-ut për nisje të mësimit më 3 tetor dhe pezullim të grevës deri në janarin e vitit 2023.
Por, si kanë votuar ata – për nisjen e mësimit të hënën, apo vazhdimin e grevës?
19:00 - Gashi (SBAShK): Deri te ideja për pezullim kemi ardhur si shkak i presionit
Përfaqësuesi i SBAShK-ut në Prishtinë, Afrim Gashi, ka thënë se votimi i mësimdhënësve se a do ta pezullojnë grevën apo jo merr kohë, teksa shtoi se ideja për pezullim ka ardhur nga presioni ndaj tyre.
Sipas tij, në rast se kjo rezultati do të vinte brenda ditës, atëherë ata do të akuzoheshin se këtë votim e kanë bërë vetëm, siç tha ai, “shkel e shko”.
“Idea e pezullimit ka ardhur nga shkaku i presionit. Ne si mësimdhënës nuk kemi pritur se do të kalojë një kohë kaq e gjatë dhe qeveria të mos e çajë kokën fare me këkresat sindikale”, është shprehur Gashi në “Info Magazine” në Klan Kosova.
Tutje, Gashi falënderoi Këshillin e Prindërve në komunën e Prishtinës, pasi sipas tij, në një mënyrë i kanë përkrahur mësimdhënësit në kërkesat e tyre deri në momentin kur janë ndarë rrugët e bashkëpunimit pasi mësimdhënësit kanë vendosur për grevë.
“Edhe unë në rast se isha pyetur në cilësinë e prindit se a jam për grevë do të thoja ndoshta jo se fëmija im po humb, por tani kam vendosur si mësimdhënës”.
Më tej, ai tha se SBAShK-u i ka ndjekur të gjithë hapat që duhet ndjekur një sindikatë për të ardhur deri tek vendimi për grevën.
“SBAShK-u ka mbajtur protestë kryesia sindikale e cdo shkolle, pastaj e kemi mbajtur një orë grevë, s’kemi punuar për një orë për ta paralajmëruar qeverinë që të reflektoj. Pastaj, ka ardhur një protestë e të gjithë mësimdhënësve para qeverisë dhe as këtu s’ka reflektuar”.
18:35 - Halimi: Prej 40 shkollave në Podujevë, 20 janë përcaktuar për pezullim të grevës
Fadil Halimi nga Sindikata e Arsimit në Podujevë përmes një lidhje direkte të “Info Magazine” në Klan Kosova ka folur në lidhje me votimin e mësimdhënësve për propozimin e pezullimit të grevës deri në janar të vitit të ardhshëm.
Ai është shprehur se në Podujevë janë përcaktuar për pezullimin e grevës.
“Gjatë ditës së sotme, shumica e shkollave të komunës së Podujevës kanë zhvilluar takime ose mbledhje dhe janë pajtuar për pezullim të grevës. Prej 29 shkollave që i kanë mbajtur këto mbledhje, 20 janë përcaktuar që të pezullojnë grevën deri në janar të vitit të ardhshëm”, tha ai.
Ndërkaq, Halimi tregoi se sa shkolla nuk janë pajtuar me propozimin dhe sa nuk janë deklaruar ende.
“Disa shkolla të tjera janë kundër, është fjala për disa shkolla të mëdha të qytetit, për tri shkollat, si shkolla fillore “Naim Frashëri”, “Ibrahim Rugova”, shkollën “Kadri Kadriu” në Llaushë që është njëra prej shkollave të mëdha që janë shprehur kundër, shkolla e mesme teknike si dhe shkolla “Shaban Shala”, ndërkaq pro pezullimit të grevës janë shprehur shprehur rreth 20 shkolla, pa i përfshirë edhe 11 shkolla të cilat nuk janë deklaruar deri më tani”, u shpreh tutje ai.
18:32 - Nimani: Nesër pasdite dalin rezultatet në Gjakovë
Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës gjatë së mërkurës i ka dorëzuar një kërkesë anëtarësisë për pezullimin e grevës deri në muajin janar.
E për të ditur se cili është mendimi i tyre lidhur me pezullimin ose jo të grevës, kryesia e kësaj sindikate po i zhvillon votimet brenda organizatës.
Kryetari i SBASHK-ut Zenun Nimani, tha në Info Magazine në Klan Kosova se shumica e mësimdhënësve kanë marrë pjesë në votim.
Nimani tha se nesër pasdite do të dihet rezultati i mësimdhënësve të komunës së Gjakovës.
18:31 - Hoxha nga Këshilli i Prindërve: Shqetësuese që fëmijët nuk ia nisën mësimit sot
Nexhmi Hoxha, nga Këshilli i Prindërve të Kosovës, ka thënë se është shqetësues fakti që fëmijët nuk ia filluan mësimit sot, por të pritet deri të hënën.
Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ai ka shtuar se me avancimin e teknologjisë, koordinimi për nisjen e mësimit do të mund të bëhej shpejt.
“Është jashtëzakonisht shqetësues ky trend i mosinteresimit për t’i kthyer fëmijët nëpër shkolla, duke pasur parasysh se tashmë teknologjia është aq e avancuar dhe ka mundësi të merret opinioni i SBAShK-ut për një kohë jashtëzakonisht të shkurtër”.
“Kemi qenë optimistë se kjo do të ndodhë dje dhe fëmijët tanë do të kthehen në shkolla sot dhe jo të hënën. Është shqetësuese edhe në parlament edhe në qeveri kur bëjnë thirrje që fëmijët të kthehen në shkollë të hënën dhe nuk thonë nesër”.
18:06 - Shumica e mësimdhënësve të “Emin Durakut” u deklaruan pro pezullimit të grevës
Sot kanë votuar mësimdhënësit në vendin tonë në lidhje me propozimin e SBAShK-ut dërguar anëtarësisë për pezullimin e grevës deri në janar dhe fillimin e mësimit me 3 tetor.
E në lidhje me këtë, kryetar i sindikatës së shkollës “Emin Duraku”, Nuhi Dema në një intervistë për “Info Magazinën” në Klan Kosova ka thënë se shumica e mësimdhënësve në këtë shkollë janë deklaruar për fillimin e procesit mësimor.
“Procesi ka shkuar mirë, nuk ka pasur ndonjë pakënaqësi dhe si rezultat shumica e mësimdhënësve janë deklaruar për fillimin e procesit mësimor, pra për pezullimin e grevës deri në janar”, u shpreh ai.
Tutje, ai tha se pavarësisht këtij votimi, nuk kanë hequr dorë nga kërkesat e tyre, përcjell Klankosova.tv.
“Nuk kemi hequr dorë nga kërkesat tona, ne i kemi dhënë rast dialogut social mes qeverisë dhe SBAShK-ut në mënyrë që të gjendet një zgjidhje dhe të mos kemi më shumë humbje të mësimit, sepse edhe ne jemi të shqetësuar për këtë kohëzgjatje të grevës”, u shpreh tutje ai.